Mbrojtësi i Pogradecit: Boll shpërdoruam, duhet të reagojmë që në… Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 21:12

Mbrojtësi i Pogradecit: Boll shpërdoruam, duhet të reagojmë që në… Korçë

Pogradeci mund të ishte në krye të Grupit B, nëse nuk do të humbte përballë Besës. Liqenorët nuk e shfrytëzuan fitoren në tavolinë ndaj Luftëtarit dhe “ngecën” në Luz. Armir Pura mendon se skuadrës i mungoi fati, por premton kthesën ndaj Egnatias.

Pura

Në një analizë të zhvilluar pas kësaj humbjeje, mbrojtësi e nis kështu fjalën e tij për “Panorama Sport”: “Ishte një ndeshje futbolli, ku fati na mungoi. Kemi luajtur mjaft mirë dhe këtë e tregojnë rastet e shumta për gol, ndërkohë që kundërshtari na ndëshkoi në dy raste dhe na mori fitoren”. Liqenorët edhe këtë sezon kanë shpallur kandidaturën për vendin të parë dhe kjo humbje duket se nuk i lëkund aspak. Një gjë të tillë e thotë “troç” edhe 36-vjeçari.

“Humbja ndaj kavajasve duhet të na shërbejë për nxjerrë mësime. Nuk duhet të shpërdorojmë. Më gëzon fakti që prodhojmë lojë dhe krijojmë raste. Pavarësisht se kemi dalë pa pikë nga ky takim, rruga për vendin e parë nuk është e shkurtër. Ky është vetëm fillimi. Ne do të punojmë fort për t’u kthyer te fitorja”, u shpreh “veterani” i prapavijës. Përpara javës së 3-të, liqenorët do të luajnë me Skënderbeun, takim i vlefshëm për turin e dytë të Kupën e Shqipërisë.

“Do ta vlerësojmë si një ndeshje kampionati dhe do t’i bëjmë hyzmetin deri në fund. Përfundimin le t’ia lëmë fushës”, përfundoi Pura. Pogradecarët kanë zhvilluar disa seanca stërvitore me ngarkesë të plotë dhe nga aspekti stërvitor u pa qartë se trajneri Ardjan Abazaj do t’i vendosë të tijtë në një skemë shumë sulmuese. Kryepankina ka kërkuar nga lojtarët e vijës së parë të jenë më të përqendruar, ndërkohë reagimin e pret që në Korçë.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"