Mbrojtësi i Flamurtarit ankohet për miqësoret, Muçollari: Na mungon eksperienca, por ngjitemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 19:50

Mbrojtësi i Flamurtarit ankohet për miqësoret, Muçollari: Na mungon eksperienca, por ngjitemi

Ariel Muçollari mendon se Flamurtari është gati për nisjen e një kampionati ku objektiv parësor është kthimi në elitë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thekson se sezonin duhet ta nisin patjetër me fitore në shtëpi. Mbrojtësi ankohet për miqësoret dhe shpreson që skuadra të ndryshojë “fytyrë” me nisjen e sezonit 2020- 2021.

mucollari

“Besoj se ekipi është gati për të filluar kampionatin, kemi rreth dy muaj që stërvitemi dhe me ardhjen e disa lojtarëve të rinj kemi formuar një grup të fortë. Jemi të gëzuar, sepse më në fund do të nisë kampionati këtë fundjavë. Tani jemi më të qetë dhe më të karikuar. Do të futemi në fushë për të bërë më të mirën dhe për të fituar me Turbinën në ndeshjen e parë, që e kemi në Vlorë. Gjatë kësaj periudhe kemi luajtur disa ndeshje miqësore dhe nuk jam i kënaqur për atë që kemi dhënë. Në këto ndeshje miqësore kemi toleruar dhe e kemi pësuar. Por, këto situata them se nuk do të përsëriten në ndeshjet e kampionatit, ku duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të marrë maksimumin”, thotë fillimisht 19-vjeçari.

SUPERIORJA – Vlonjati pastaj flet për objektivin dhe pohon se skuadra ka vërtet nevojë për lojtarë me eksperiencë. “Mendoj se ngjitja në Kategorinë Superiore nuk është e lehtë, por do të përpiqemi ta çojmë Flamurtarin atje ku e meriton. Do të japim maksimumin tonë gjatë gjithë këtij kampionati për t’u kthyer në mesin e më të mirëve. Them se ekipi ka nevojë akoma për lojtarë me eksperiencë, jo vetëm për lojtarë të rinj. Kategoria e Parë është shumë e vështirë dhe besoj se drejtuesit dhe stafi po punojnë në këtë drejtim për të mundësuar afrime cilësore. Jemi të vetëdijshëm për këtë, por shpresoj që të na ndjekë edhe pak fati”, shprehet 19- vjeçari.

DËMTIMI – Mbrojtësi dëmtoi kaviljen në ndeshjen miqësore me Orikun. Ai shpreson të jetë i gatshëm shumë shpejt, por nuk mund ta shijojë startin e kampionatit ndaj Turbinës. “Për sa i përket dëmtimit, shpresoj që javës tjetër të dal në fushë. Ndihesh keq kur dëmtohesh në një ndeshje miqësore, por nuk ke çfarë t’i bësh, pasi kështu është futbolli”, përfundon Muçollari.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"