Mbrojtësi e mbyll me Luftëtarin, shkak bëhet ushtria. Priten largime të tjera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2020 | 18:44

Mbrojtësi e mbyll me Luftëtarin, shkak bëhet ushtria. Priten largime të tjera

Aventurës së Aurel Demos te Luftëtari duket se i ka ardhur fundi. Kryerja e shërbimit ushtarak në Greqi është dhe arsyeja e ndarjes së qendërmbrojtësit me Luftëtarin. Është vetë 22-vjeçari që e ka paralajmëruar diçka të tillë për “Panorama Sport” fill pas ndeshjes së javës së 36-të me Kukësin. “Besoj se ishte ndeshja e fundit me Luftëtarin. Më duhet të largohem për të kryer ushtrinë në Greqi. Asgjë tjetër s’mund të them më shumë”, tha shkurtimisht mbrojtësi i linjës së majtë.

AUREL DEMO

E megjithatë, vendimi në këtë rast i takon edhe klubit. Lojtari që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në këtë sezon ka kontratë edhe për një vit, ndaj fillimisht duhet të ulet me drejtuesit për të zgjidhur marrëveshjen me konsensus. Dëmtimi i pësuar në kofshën e djathtë para periudhës së pandemisë e penalizoi jo pak këtë futbollist, teksa vetëm në ndeshjen me Kukësin u rikthye si titullar. Kujtojmë që erdhi te Luftëtari në janarin e vitit 2018 dhe firmosi për 3 vite, pas eksperiencës te skuadra greke e Panaigialios.

Nëse “divorci” bëhet zyrtar, atëherë numri i të larguarve nga radhët e bluzinjve pas janarit shkon në katër. Më herët ishte mesfushori Jurgen Dushkaj që iku, i pasuar nga një tjetër mesfushor. Donald Açka iu bashkua skuadrës me vonesë pas përfundimit të karantinës, çka i kushtoi “degdisjen” te 19-vjeçarët e Arbër Bistrit. Pas rehabilitimit, Acka u zhduk në mënyrë “misterioze” drejt Greqisë, ku edhe jeton. Armenis Kukaj dy javë më parë u nda paqësisht me Luftëtarin dhe është lojtar i lirë, në kërkim të një aventure të re.

demo-aurel

MERKATO – Gushti pritet që të jetë i “nxehtë” në Gjirokastër. Largimet në radhët e të pakënaqurve do të shtohen, ndërsa nuk do të mungojnë edhe afrimet. Në fundin e javës së parë të muajit të ri është planifikuar një takim mes drejtuesve, stafit e lojtarëve, i cili do të përcaktojë jo pak të ardhmen e ekipit që pas 4 sezonesh do të militojë në Kategorinë e Parë.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"