Mbrojtësi Beqja “terapi” durrsakëve kundër presionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2017 | 18:38

Mbrojtësi Beqja “terapi” durrsakëve kundër presionit

Edhe pse reshjet e shiut ishin të shumta të shoqëruar me erëra të forta, Gugash Magani e vazhdoi normalisht stërvitjen. Lojtarët që ishin në fushë kundër Kamzës zhvilluan vetëm disa ushtrime të lehta, pjesa tjetër punoi normalisht me skuadrën. Kundërshtari i radhës për “Djemtë e detit” është sërish Kamza, por këtë herë në kampionat në kuadër të javës së 13-të të Superiores.

Barazimi në Kamzë ka lënë një shije të hidhur te durrsakët me mbrojtësin e djathtë Fabian Beqja, që mendon se Teuta duhet ta kishte fituar sfidën në Kupë. “Barazimi është një rezultat i mirë, por ne duhet ta kishim fituar ndeshjen, pasi i kishim të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Luajtëm më mirë se kundërshtari dhe ishim shumë afër golit disa herë”, tha mbrojtësi i djathtë për “Panorama Sport”.

Beqaj444

Në Kupë, Kamza luajti pa disa titullarë, si do të ndikojë kjo në ndeshjen e së shtunës?

Nuk besoj se do të ndikojë shumë, ne jemi gjithmonë në rritje dhe kundër do të tregojmë më të mirën. Sigurisht që është një ndeshje e vështirë, por në kampionat nuk ka ndeshje të lehta, nëse impenjohemi maksimalisht do të marrim maksimumin nga kjo ndeshje.

Jeni ekipi i tretë që keni shënuar më shumë, por pësoni më shumë se rivalët?

Në ndeshjet e fundit kemi treguar një rritje dhe nuk kemi pësuar, përveç ndeshjes me Kamzën. Pra, i kemi kuptuar gabimet tona dhe po luajmë më mirë. Në ndeshjet e fundit kemi fituar më shumë besim dhe kjo na ka bërë të jemi më të saktë, pasi mos harroni, ne jemi një ekip i ri.

Si i shikoni shanset për vendin e katërt? Një fitore ndaj Kamzës ju afron ndjeshëm?

Fillimisht ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, të largojmë presionin dhe të jemi të qetë, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Llogaritë bëhen në fund.

I kënaqur me rendimentin që keni shfaqur?

Gjithmonë kërkoj më të mirën nga vetja, maksimumi im nuk është ky, kam edhe shumë për të treguar. Trajneri po na ndihmon shumë dhe shpresojmë të ecim lart.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"