Mbrojtësi 23-vjeçar nga Tropoja, njihuni me zbulimin e Kastriotit këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 0:45

Mbrojtësi 23-vjeçar nga Tropoja, njihuni me zbulimin e Kastriotit këtë sezon

Realf Zhivanaj është një ndër lojtarët që së fundmi ka zënë vend në formacionin e Kastriotit. 23-vjeçari tropojan ka bërë mjaft mirë në disa ndeshje delikate të krutanëve. Për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi flet për gjendjen aktuale të skuadrës pas humbjes me Partizanin, sfidën e radhës me Laçin, por edhe aspektin personal dhe synimet që ka për të ardhmen.

Zhivanaj

“Besoj se ndaj Partizanit dhamë maksimumin, por ndeshja u vendos nga episode. Në pjesën e parë sulmuam më shumë dhe e vendosem në vështirësi Partizanin. Gjithsesi, situatën nuk e shikoj shqetësuese për sa kohë jemi brenda objektivit që kemi pasur që në fillim të sezonit si klub”, ka thënë fillimisht Zhivanaj, për të folur më pas për ndeshjen me kurbinasit, që do të luhet të shtunën në orën 13:00 në Kamzë.

Kastrioti

“Normalisht kundërshtari duhet vlerësuar, por nëse motivohemi dhe e përgatisim ndeshjen siç duhet, jemi ne ata që e kemi në dorë. Nuk ka ndeshje të lehta, çdo ekip i Superligës ka nivel dhe mendoj se siç nuk e ka Laçi të lehtë përballë nesh, edhe kundërshtarët nuk do ta kenë të thjeshtë. Mendoj se pika më e fortë jona është agresiviteti dhe gjendja fizike”, theksoi shtatlarti i Kastriotit. Ai beson se me aktivizimin në Superiore, do të bëjë një hap para në karrierë.

Zhivanaj Kastrioti

“Jam mirënjohës për besimin që më është dhënë dhe përpiqem gjithmonë të jap maksimumin në fushë. Dua të shfaq akoma më shumë vlerat e mia dhe të promovohem në një klub më të madh, qoftë në Shqipëri apo jashtë vendit”, përfundoi Zhivanaj.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"