Mbrojtës goleador, Ramos kapiteni i rekordeve. 15 sezone radhazi me të paktën një gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 22:34

Mbrojtës goleador, Ramos kapiteni i rekordeve. 15 sezone radhazi me të paktën një gol

Nuk do jenë spektakolarë si ata të Mesit apo Ronaldos, por golat e Sergio Ramosit në La Liga janë një garanci. Kapiteni i rekordeve për Realin e Madridit: me realizimin nga pika e bardhë në Girona, ka shënuar së paku një gol në 15 sezonet e fundit. Spanjolli ka arritur kështu Lionel Mesin që, megjithatë, në numër ka shënuar më shumë: plot 385. “Vetëm” 56 ata të Ramosit, që sidoqoftë ka arkivuar një tjetër primat.

serxho ramos

GOLEADOR – Nga 26 shtatori 2004 në 26 gusht 2018: këto janë datat e rekordit të Ramosit. Goli i parë i mbrojtësit goleador është regjistruar në minutën e 44-t të javës së pestë të kampionatit 2004-’05 kundër Real Sociedadit kur mbante veshur fanellën e Sevijës; e fundit, në të 39-ën e Girona-Real Madrid, ku firmosi barazimin e përkohshëm 1-1.

Një “Panenka” që hapi festivalin e golave të skuadrës së Lopeteguit, që pas vërshëllimës së trefishtë dolën fitues nga qyteti katalanas me rezultatin 4-1. Goli i shënuar të dielën në mbrëmje, megjithatë, simbolizon një tjetër primat për Ramosin: me rrjetën numër 56, kapiteni i Realit të Madridit është mbrojtësi që ka shënuar më shumë në La Liga për shekullin e 21-të, 25 gola më shumë se ish-mbrojtësi i Atletiko Bilbaos, Andoni Iraola. Numri 4 i “Los Blancos” synon tashmë kreun e klasifikimit të mbrojtësve me më shumë gola në kampionatin spanjoll: përpara tij janë Fernando Hierro (105) e Ronald Kuman (67).

GIRONA – Pas largimit të Kristiano Ronaldos nga Madridi, Sergio Ramos është bërë efektivisht gjuajtësi i penalltive për sezonin 2018-’19, por pasi shënoi 11-metërshin e rekordit (dhe të barazimit) të dielën, kapiteni i kaloi detyrat e tij te Karim Benzema kur “Los Blancos” fituan të dytën. Francezi është caktuar nga trajneri Hulen Lopetegui si gjuajtës i dytë i penalltive që nga largimi i portugezit dhe Ramos shpjegoi se ai i dha shansin shokut të skuadrës për të treguar afrimitet dhe mbi të gjitha se janë një grup i bashkuar. “Unë jam gjuajtësi i parë dhe Benzema i dyti”, – tha Ramos pas fitores me përmbysje 4-1 në Girona.

“Nuk mund të jemi egoistë, duhet të tregoni altruizëm. Goditja ‘Panenka’? Ishte diçka e improvizuar, – zbuloi kapiteni i ‘Los Blancos’. – Është një teknikë që unë e kam përdorur për disa kohë dhe portierët zakonisht e dinë, por mendova se momenti ishte i duhuri për ta përdorur”. Benzema gjithashtu shënoi penalltinë nga pika e bardhë, me Real Madridin që arriti një fitore komode, duke u ngjitur në krye të La Ligës me pikë të plota pas dy ndeshjeve të para: 6.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"