“Mbreti lakuriq”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2017 | 18:01

“Mbreti lakuriq”

YLLI AGA

 

ylli-aga“Fëmija” i Andersenit të famshëm me siguri do t’i ngjante një jetimi në realitetin e ditëve tona, përballë korit të zërave që e shohin dhe guxojnë të thonë të vërtetën për “Mbretin lakuriq”. Ndryshimi i vetëm është që statusin e mbretit e të shqiptarëve e mban sporti dhe roli i tij është honorifik dhe prej dekadash pothuajse i vetmi që përfaqëson unitetin e vendit.

Por, për ta çnderuar atë në sytë e të gjithë botës, po bëjnë gjithçka pikërisht ata që e kanë për detyrim të kujdesen për të, pushtetarët e këtij vendi. Nëse dikush ka ndonjë dyshim, mjafton të kujtojmë fjalët e trajnerit të kombëtares së basketbollit për meshkuj pas humbjes së turpshme në Holandë, apo reagimi me sinqeritet therës nga federata e çiklizmit për pamundësinë për të pasur… biçikleta! Më lakuriq se kaq edhe mbreti i përrallës nuk ka qenë.

Një fotografi për realitetin e 2017-ës

Prej 4 vitesh, im bir praktikon sportin e volejbollit. Dhe, siç ndodh në të tilla raste, objektivi kryesor, që fëmija ta ketë sportin një mënyrë alternative për t’u edukuar, ta mbushë kohën me diçka të shëndetshme, duke ua rrëmbyer orëve të shpenzuara me teknologjinë, është zëvendësuar me një shiringë që ka injektuar pasion pa fund për volejbollin.

Në këto kushte, prezenca në ndeshje është kthyer në një detyrim dhe si një dëshmitar mund të konfirmoj se sporte të traditës dhe të suksesshme të këtij vendi po thellojnë diferencën me vendet e kontinentit, po treten dhe rrezikojnë të shuhen. Më ka rastisur të jem në shumë salla të ashtuquajtura sportive dhe më ka kapluar një dhimbje e madhe për kushtet ku stërviten dhe zhvillohen sportet e lojërave me dorë.

Në Korçë, fëmijët u detyruan të bënin nxemje me xhupa sepse pallati i sportit i ngjante një frigoriferi gjigant. Dhe një realitet i tillë është në të gjitha sallat gjatë periudhës së dimrit. Ndërsa një qytet si Fieri duhet të ndihet i turpëruar që përfaqësohet me një sallë si ajo e lojërave më dorë. Thuajse i njëjti vlerësim edhe për Lushnjën dhe Fushë-Krujën.

Dhe, kur ambientet ku luhen ndeshjet zyrtare janë në kushte të tilla, çfarë ndodh me palestrat ku duhet të stërviten të rinjtë apo të rriturit? Nëse keni ndonjë kuriozitet, shkoni dhe shikoni palestrën ku stërviten dy ekipet më të rëndësishme të kryeqytetit për meshkuj: Partizani dhe Studenti. Pikërisht këto dy klube që politika i përzuri nga palestrat e tyre dhe i hodhi në rrugë të madhe.

Në këto kushte, të flasësh për masivitet, për cilësi dhe për rezultate është vërtet e tepërt. Keqardhja e madhe dhe sigurisht akuza për ata që kanë drejtuar politikën sportive është se si ka mundësi që në gjithë këto vite pothuajse të gjitha palestrat dhe sallat sportive nuk plotësojnë kushtet më minimale? A mban dikush përgjegjësi për këtë realitet?

Turravrapi i europianëve

Për opinionin sportiv europian, paraqitja dhe rezultatet e Islandës në finalet e “Euro 2016” ishte një nga surprizat më të bukura. Shumëkush e ka të qartë se në të tilla nivele nuk mbërrihet rastësisht. Dhe e vërteta e madhe është që në ishullin ku zjarri dhe akulli janë në një duel të përjetshëm prej më shumë se një dekade u ndërtuan salla-inkubatorë, që mirëprisnin pothuajse të gjithë fëmijët për të luajtur, për t’u dëfryer dhe për të qenë konkurrues në kontinentin e vjetër.

Politika u shpërblye dhe muaji i europianit ishte ndër më të bukurit për islandezët. Sigurisht, shqiptarët gjaknxehtë dhe dritëshkurtër e kanë të pamundur të kopjojnë islandezët mendjeftohtë, por, për të gjetur një model, u mjafton të kalojnë kufirin dhe mësojnë nga Maqedonia. Thuajse i njëjti model, teksa në fillimin e këtij mijëvjeçari u ndërtuan 100 salla sportive, me parametrat e duhur, të ngrohta në dimër dhe të freskëta në verë dhe shpërblimi nuk ka munguar.

Në basketboll, volejboll apo hendboll shqiptarët nuk kanë mundësi të krahasohen me fqinjët e tyre. Me të njëjtin kujdes dhe turravrap duken edhe në shtetin më të ri të kontinentit, në Kosovë. Pavarësisht problematikave të shumta, buxheti i qeverisë dedikuar për sportin është i konsiderueshëm (për 2017-ën plot 11 milionë euro), si dhe ka politika stimuluese për ata që investojnë në sport. E sigurt është që parakalimi prej tyre është thjesht çështje kohe.

Në kërkim të rrugëdaljes

Për vendet në zhvillim, dy janë mënyrat për të mbështetur sportin, financimin nga buxheti i shtetit dhe favorizimin e bizneseve për të sponsorizuar. Për fat të keq, të dyja këto elemente nuk janë marrë në konsideratë nga qeveritë tona ndër vite. Aktualisht, portofoli për të gjitha sportet (përjashto futbollin që nuk merr asnjë qindarkë) është afro 1 mln euro.

Për ta bërë më të prekshme, nënvizojmë shumën që jep Kosova, që është gati 10 herë më e madhe. Ndërsa ata që sponsorizojnë në sport nuk kanë asnjë favorizim, siç ndodh në shumë vende të tjera, ku bizneset favorizohen në mënyrë të shkallëzuar te tatimet. Sa më i madh është financimi i tyre, aq më pak paguajnë në arkën e shtetit.

Në të tilla kushte, pyetja që vjen natyrshëm është si do të mund të ndalet rrënimi i sportit tonë, si do të rindërtohen ambientet sportive dhe si do ta bëjmë sportin tërheqës për biznesin. Për momentin zgjidhja duket e pamundur. Komuniteti sportiv ende nuk e ka një përgjigje, një alternativë dhe çuditërisht nuk po arrin të bëhet një zë i vetëm për t’ia paraqitur politikës që ta kthejë në ligj rrugën e re për sportin tonë.

Vazhdimi në të njëjtën rrugë, me të njëjtat kushte nënkupton një zhdukje të sigurt të sporteve në këtë vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"