“Mbreti” Karlo dhe brezi i artë, shkëlqen Real Madrid

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 23:38

“Mbreti” Karlo dhe brezi i artë, shkëlqen Real Madrid

Në vitin 2019 kur Karlo Ançeloti linte Napolin për Evertonin në Premier Ligë, të shumtë ishin ata që mendonin se karriera e teknikut kishte mbërritur në fundin e saj. Por gjithçka mori një rrjedhë ndryshe kur në vitin 2021 i erdhi një telefonatë nga Reali i Madridit.

anceloti

Ish-trajneri i Milanit merrte në këtë vit për herë të dytë në karrierë drejtimin e “Los Blancos”. Transformimi i Realit me italianin në krye është rrënjësor dhe menjëherë kanë nisur të vijnë trofetë.

Jo më larg se të dielën në mbrëmje ai ka fituar trofeun e pestë me Realin e Madridit dhe të parin në këtë sezon me klubin e “Bardhë”.

Reali mundi Bilbaon në finalen e Superkupës së Spanjës, duke e fituar këtë trofe për herë të 12-të në historinë e vet. Për Karlo Ançelotin ky ishte trofeu numër 21 në karrierën e tij të suksesshme.

Ai është bërë i pari trajner italian që fiton Superkupën e Spanjës, teksa më parë në karrierë kishte fituar Superkupën edhe në Itali, Gjermani e Angli. Fitorja ndaj Bilbaos u arrit falë eksperiencës dhe metodave tradicionale, në një botë të globalizuar kur flitet për “big data” dhe analiza deri në imtësi.

BREZI I ARTË 
Reali i Madridit i ka shtuar një tjetër trofe muzeut të pamatë të arritjeve të veta në 119 vjet histori. Superkupa ka qenë e radhës që është shtuar në pavijonin e trofeve.

E nëse Reali ka arritur të fitojë kaq shumë trofe, pa diskutim që një meritë të jashtëzakonshme ka gjenerata e dhjetë viteve të fundit, sidomos duke nisur nga viti 2014 kur Reali fitonte për herë të dhjetë Ligën e Kampioneve e “pagëzuar” me emrin “La Decima – E dhjeta”.

Shembulli më i mirë i këtij brezi triumfal është Marselo. Braziliani, me Superkupën e fituar të dielën në mbrëmje ka arritur kuotën e 23 titujve me fanellën e Realit, duke barazuar një legjendë të këtij klubi si Pako Gento. Ramos, i cili u largua te PSG-ja, numëron 22 tituj me Realin, ndërsa Karim Benzema numëron 20 trofe.

Por në këtë gjeneratë lojtarësh ka shumë të tjerë që numërojnë 10-15 trofe. Pas Benzemasë me 20 trofe me 18 tituj vijnë Modriç e Naço. Isko, Bejl e Karvahal numërojnë 17 trofe.

Një lojtar i veçantë në këtë gjeneratë fituesish është Toni Kros. E vërteta është se ai numëron 23 tituj sa Marselo, por të ndarë me dy klube, 18 me Bajernin e Mynihut dhe 15 me Realin e Madridit.

Po 15 trofe numëron Kasemiro në 9 sezone në Madrid, ndërsa Asensio numëron 12 trofe.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"