Mblidhen celularët para Kukësit, Qarri: Arbitrat të mos harrojnë se janë në Kamzë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2017 | 10:24

Mblidhen celularët para Kukësit, Qarri: Arbitrat të mos harrojnë se janë në Kamzë!

Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, përpara seancës stërvitore, ka dalë para lojtarëve duke i frymëzuar për ndeshjen kundër Kukësit, me të cilin do të nisë faza e dytë. Ndreu e ka konsideruar si një nga më të rëndësishmet për imazhin e klubit.

kamza

Trajneri

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, trajneri u ka bërë thirrje të tijve për të qenë kurajozë: “Kemi përpara një ndeshje mjaft të vështirë kundër ekipit kampion. Është një ogur i mirë që skuadra nuk ka as dëmtime, as të pezulluar dhe të gjithë ndihen optimistë. Për sa i përket gjykimeve, nuk mendoj se në këtë takim do të bëjnë veprime duke qenë të papërgjegjshëm, aq më tepër që takimi luhet në fushën tonë.

Të gjithë lojtarët janë karikuar për fitore. Në këtë ndeshje dua 11 luanë në fushë, do provojmë të japim maksimumin dhe të marrim fitoren, pasi është ndeshje tepër e rëndësishme edhe për imazhin e Kamzës. Të luash mirë ndaj Kukësit, është e vështirë dhe ne duhet të kemi kujdes e të luajmë me kurajë. Premio? Drejtuesit kanë qenë korrekt, si kryebashkiaku Mziu, po ashtu dhe presidenti Qarri. Nëse do të jepet premio, është një plus për të gjithë”, u shpreh Ndreu.

Presidenti

Naim Qarri e ka vënë theksin te gjyqtarët.

“I druhem arbitrimit! Ne gjithnjë i kemi pritur dhe respektuar, edhe kur ato nuk kanë qenë korrekt me gjykimin. Por, mos ta bëjnë ‘baltë’ si në ndeshjen me Partizanin nga kryesori Xhaja. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, përveçse një gjykimi korrekt dhe pa anshmëri. Nuk duam as të na falin përqindjet e shtëpisë gjatë vlerësimit ndaj nesh. Kërkojmë vetëm drejtësi. Mos të harrojnë se janë në Kamzë”, ka deklaruar Qarri.

kamza formacioni

Telefonat

Pas seancës së djeshme, skuadra është nisur drejt hotelit ku do të qëndrojë e grumbulluar. 18 lojtarët që janë përzgjedhur kanë dorëzuar gjithçka, madje edhe celularët e tyre, duke iu nënshtruar një regjimi absolut.

Biletat

Për të ndjekur ndeshjen, biletat në të gjithë sektorët kushtojnë 200 lekë (të rinj), ndërsa në tribunën qendrore 700 lekë (të rinj) dhe shiten në qendër të Kamzës.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"