Mbledhje urgjente, presidenti Tavo “shkund” Luftëtarin pas humbjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 9:10

Mbledhje urgjente, presidenti Tavo “shkund” Luftëtarin pas humbjes

Humbja e takimit të parë nga Luftëtari në shtëpi përballë Kastriotit pa dyshim që nuk ka lënë një shije të mirë në ambientin sportiv të Gjirokastrës. Gjithçka u pa pas përfundimit të takimit, ku zhgënjimi ishte “ulur këmbëkryq” si në radhët e futbollistëve ashtu dhe të drejtuesve të skuadrës. Ky zhgënjim bëri që gjatë paradites së djeshme, presidenti i skuadrës bluzi, Grigor Tavo, të organizojë një takim urgjent me 11-shin humbës në ambientet e brendshme të stadiumit “Gjirokastra”.

Grigor Tavo tribune

Për më shumë se 20 minuta, presidenti Tavo, duke mos fshehur zhgënjimin, ka ruajtur qetësinë pa e dramatizuar situatën, por duke e konsideruar atë jo të këndshme. Mësohet se Tavo, pasi është ndalur te gabimet e disa lojtarëve, kryesisht të mbrojtjes, nuk ka hezituar të përmendë edhe veprimet e pastudiuara mirë të mesfushës dhe sulmit.

“Është momenti ta harrojmë sa më shpejt këtë humbje dhe të fillojë kthesa që në takimin me Laçin”, u shpreh Tavo para ekipit. Edhe futbollistët e kanë pranuar se nuk ishte dita e tyre, ndaj pa humbur kohë, në drejtimin e stafit teknik, gjirokastritët filluan stërvitjen për ndeshjen e radhës kundër Laçit.

Në orën 10:00, në kompleksin sportiv “Fusha e Vjetër” nën drejtimin e stafit teknik, të ndarë në dy grupe, ku titullarët e sfidës me Kastriotin ishin veçmas, kanë realizuar ushtrimet atletike dhe pak minuta i kanë kushtuar lojës me top. Me grupin dje ka qenë edhe mbrojtësi Ivan Jakovljeviç. Përgatitësi atletik Kostas Kolciadhis disa herë ka ndërprerë ushtrimet me karakter aerobik, me qëllim kryerjen e tyre me shpejtësi. Dy “gardianët”, Hrojve Bukovski dhe Andrea Shumeli, kanë punuar gjatë gjithë kohës me përgatitësin e tyre Mihajloviç.

MERKATO- Ndaj Kastriotit Luftëtari shfaqi mangësi thuajse në të tria repartet. Jo vetëm kaq, por nëse hidhet vështrimi në stol, të rinjtë e afruar, falë dhe mungesës së përvojës, nuk ofrojnë cilësitë e kompensimit të 11-shit titullar. Ka mjaftuar paraqitja ndaj krutanëve që drejtuesit e Luftëtarit të hyjnë sërish në merkato.

Përpos afrimit në sulm të Ismel Dunga, synohet afrimi i një mbrojtësi dhe një mesfushori. Gjithçka mbetet në rangun e “thashethemeve” të merkatos, por dhe më herët drejtuesit e Luftëtarit janë shprehur se duhet përforcim i skuadrës në prapavijë. Pavarësisht se trajneri Millosh Kostic një ditë para ndeshjes me Kastrioti u shpreh se presim Dungën dhe merkato quhet e mbyllur. Por drejtuesit janë vënë në lëvizje për të afruar një ose dy lojtarë të tjerë që të bëjnë diferencën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"