Mbledhje te Kukësi, Gjici i lexon gazetën stafit: Nuk dua gabime në mbrojtje, nguliteni mirë në kokë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2017 | 10:46

Mbledhje te Kukësi, Gjici i lexon gazetën stafit: Nuk dua gabime në mbrojtje, nguliteni mirë në kokë

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk e thyen rregullin e vendosur nga ai vetë. Dita e hënë nis me mbledhje për numrin një të verilindorëve, paçka se edhe mund të jetë pushim zyrtar si dje, “1 Maji”. Kukësi fitoi të shtunën ndaj Laçit në “Zeqir Ymeri” tri pikë shumë të vlefshme për të mbajtur vendin e parë, por duhet bërë më shumë sipas kreut të klubit pasi aq nuk mjafton, sidomos në ndeshjen e kësaj jave ndaj Partizanit.

Safet Gjici

Pas lajmërimit të së dielës për mbledhje, gjatë paradites së djeshme të gjithë zyrtarët dhe stafi ishin prezentë në zyrën e presidentit. Gjici u kërkoi të gjithëve angazhim maksimal për këtë javë, përqendrim total, stërvitje në nivele të larta dhe harmoni për të arritur te fitorja e titullit ndaj Partizanit.

Si rrallëherë, presidenti u shfaq i kënaqur për atë që është bërë deri tani, por kërkon më shumë pasi kaq nuk mjafton. Sipas Gjicit, vetëm duke bërë më shumë Kukësi mund të shkojë te kurorëzimi si kampion i Shqipërisë. Gazeta arrin të zbardhë thelbin e bisedës mes presidentit Gjici dhe pjesëtarëve të tjerë të klubit.

“Ju kam thirrur në këtë mbledhje për të bërë të ditur së këtë javë duhet të jemi shumë të përqendruar, të japim të gjithë maksimumin dhe t’i qëndrojmë të gjithë në kokë punës, për shkak të ndeshjes që kemi me rivalin tonë direkt, Partizanin. Duhet të fitojmë me çdo kusht ndeshjen. Nëse fitojmë këtë takim, atëherë mund të themi që jemi shumë afër titullit.

Unë kam besim se me cilësitë që kemi në përbërje mund ta fitojmë ndeshjen. Ne si ekip kemi të gjitha mundësitë të dalim me trepikësh nga ‘Selman Stërmasi’, pasi jemi të kompletuar në çdo aspekt, plus që i kemi të gjithë të gatshëm. Deri tani kemi bërë shumë por nuk mjafton, pasi duhet bërë më shumë akoma.

Duhet fituar kjo ndeshje që të jemi më afër kampionatit. Kemi kaq vite që investojmë, tani kemi më shumë eksperiencë dhe është radha jonë për ta fituar titullin. Kështu që kërkoj përgjegjësi maksimale, stërvitje efikase, punë, pasi dua që të jemi të gatshëm për ta fituar këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht Gjici.

Gabimet e mbrojtjes

Presidenti i ka kërkuar trajnerit që të punohet më tepër në mbrojtje, pasi goli i Laçit ishte faj i mbrojtjes. Gabimi i Allës mund të evitohej, por me ardhjen e Shametit çdo gjë do të jetë në rregull, pavarësisht se Pashaji bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj kurbinasve.

“Duhet më shumë kujdes në mbrojtje, pasi goli i pësuar ndaj Laçit mund ta kishim evituar. Gabim që nuk duhet të ndodhë më dhe këtë gjë duhet ta ngulisin në kokë të gjithë lojtarët. Pavarësisht se Laçi kishte ardhur për pikë në Kukës, ne nuk ua dhamë shansin, por duhet më shumë kujdes.

Tani na kthehet Shameti dhe me atë jemi më të sigurt në mbrojtje. Duhen përmirësuar dhe rregulluar të gjitha gabimet e ndeshjes së fundit, edhe pse jam i kënaqur për atë takim. Të gjithë kundërshtarët tanë prisnin një hap fals dhe një gabim nga ne, por Kukësi nuk mund të gabojë”, vijoi më tej presidenti i Kukësit.

Debati me Partizanin

Për debatet e fundit Gjicit i kanë sjellë “Panorama Sportin” në tavolinë, ku pasi i ka hedhur një sy ai ua ka kaluar vartësve të tij për të parë përgjigjen e këtij të fundit ndaj akuzave të Partizanit. Çdo gjë është mbyllur aty për aty, pasi edhe disa prej vartësve të tij e kanë lexuar deklaratën e numrit një, ku biseda ka vijuar për situatën në ekip.

“Sa për akuzat e Partizanit, ja ku e keni, shikoni përgjigjen time. Ata atë punë kanë, kështu do të vijojnë ne të shohim veten tonë. Ju bëni punën tuaj që iu takon, me të tjerat merrem unë”, përfundoi Gjici. Më pas biseda ka vijuar e lirë mes presidentit Gjici, trajnerit Gjoka dhe stafit teknik, ku këta të fundit i kanë premtuar presidentit se përgatitjet dhe puna do të vijojnë të jenë maksimalisht, si dhe do të korrigjohen gabimet e fundit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"