Mbledhje te Kukësi, Emini: Do ta kapim Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2016 | 13:51

Mbledhje te Kukësi, Emini: Do ta kapim Europën

Kukësi nuk arriti dot të mundë rivalin direkt për vendin e tretë, Teutën në shtëpi. Nga koha që në krye të skuadrës bregdetare është vendosur trajneri Magani, nënkampionët kanë hasur shumë vështirësi me këtë skuadër.

eminiNë 4 takimet e zhvilluara për këtë sezon, ata kanë fituar vetëm 1 (atë më 12 shtator, me rezultatin e thellë 3-0), pastaj ka ardhur rënia. Teuta ka fituar në fazën e dytë 1-0, dhe sërish në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë 1-0, ndërsa vjen dhe barazimi 2-2 në takimin e fazës së tretë në Superligë.

Të dyja skuadrat janë në garë për vendin e tretë, së bashku me Tiranën. Duhet thënë që Teuta ka zhytur në krizë Kukësin, ndërsa shpëtimi i vetëm për verilindorët dhe trajnerin Duro është ndeshja e kthimit të mërkurën në Kupën e Shqipërisë.

Nëse Kukësi nuk arrin të kthejë rezultatin dhe të kalojë në gjysmëfinale në Kupë, atëherë do të jetë një dështim i parakohshëm për skuadrën për të cilën presidenti Gjici ka investuar shumë. Mbas humbjes me Teutën, trajneri ka lënë pushim skuadrën, meqenëse dita që pasoi ndeshjen përkoi me të dielën, por edhe me ditën e të dashuruarve, “Shën Valentini”.

Dita e hënë do të nisë intensive, sidomos për stafin teknik, pasi drejtori i përgjithshëm, Ekrem Spahia, i ka thirrur për analizë pjesëtarët e stafit teknik. Pritet që të jetë dhe presidenti Gjici në këtë mbledhje. Kukësi po pëson një rënie të lirë, për të cilën nuk ka shpjegim, pasi merkatoja është bërë e plotë dhe cilësore, sidomos me prurjet e Eminit, Dvornekoviç, William etj. Skuadra do të vijojë stërvitjen ditën e hënë sipas orarit të parashikuar në 14:00-16:00 në “Pezë Helmës”.

Emini

Vetë sulmuesi potent Izair Emini, mbas ndeshjes, tha për “Panorama Sport” se dhe i erdhi keq për këto dy pikë të humbura dhe se Kukësit i vështirësohen pozitat, pasi Tirana është shkëputur në gjashtë pikë, por skuadra do të luftojë deri në fund dhe do të japë gjithçka për të arritur objektivat. “Jam i gëzuar për golin tim, pasi sulmuesi jeton me ato. Krijuam një lojë dhe një atmosferë të mirë, por për fat të keq nuk fituam dot.

Treguam karakter në lojë, pasi përmbysëm rezultatin dhe ishim duke fituar, por mbas një gabimi tonë njerëzor, kundërshtari mori një pikë të vyer. Bëmë një hap fals që nuk duhej, por futbolli kështu është. Jam i kënaqur me rastet që krijuam, për golin dhe për gjithçka, por jo për rezultatin. Meritonim të fitonim.

Është e vërtetë që Tirana fitoi dhe shkoi 6 pikë larg nesh, por ne nuk dorëzohemi, do të luftojmë deri në fund dhe do të japim gjithçka për të arritur objektivat. Nuk ishte rezultati i duhur, pasi ne duhet të fitonim, por në fund, fati nuk na buzëqeshi”, është shprehur sulmuesi pas ndeshjes me Teutën. S.SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"