Mbledhje me lojtarët, Shehi zbulon strategjinë e Tiranës për derbin kundër Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 8:52

Mbledhje me lojtarët, Shehi zbulon strategjinë e Tiranës për derbin kundër Partizanit

Orges Shehi është i bindur. Derbin e fiton i duruari dhe inteligjenti. Ai që është në presion dhe nxitohet, nuk ia del në këtë ndeshje. Trajneri i bardhebluve ka sqaruar ekipin se në derbi çdo lojtar jo vetëm që duhet të japë maksimumin, por duhet të tregohet i matur në fushë.

SHEHI

“Në sfidën e së hënës dua qetësi. Derbi fitohet pa treguar ankth dhe duke qëndruar me këmbë në tokë. Ndeshja është 90 minuta dhe skuadra nuk ka përse të nxitohet, por të jetë e kujdesshme dhe të marrë atë që duam të gjithë, fitoren”, mësohet të ketë thënë Shehi gjatë analizës së tij.

Në fakt, trajneri i Tiranës e njeh shumë mirë kundërshtarin dhe Ilir Dajën. Me të kuqtë ka luajtur, duke qenë edhe kapiten i skuadrës, ndërsa me Dajën ka punuar te Skënderbeu duke ia njohur të gjitha huqet tiranasit. Partizani është një nga dy skuadrat që Orges Shehi nuk ka mundur nën drejtimin e Tiranës.

Trajneri i bardhebluve nuk ka ekip që nuk e ka mundur në Superiore, ndërsa me Kukësin ka vetëm një barazim, sepse në një ndeshje nuk ka qenë në stol.

Po nga ana tjetër, me të kuqtë ka një humbje dhe një barazim. Ekipet e tjera ka ditur t’i mundë, duke filluar nga Vllaznia, Teuta, Laçi, ndërsa me të kuqtë ka qenë ndryshe.

Derbin e parë e humbi 1-2, ndërsa në ndeshjen e dytë me të kuqtë doli në barazim. Gjithsesi, siç thuhet zakonisht, e treta e vërteta. Ka mundësinë që të marrë tri pikët dhe të kthejë fitoren në kampin bardheblu pas më shumë se një viti e gjysmë shterpësi.

TIRANA 4

STËRVITJA – Tirana është gati për ndeshjen me Partizanin, gjithashtu edhe Erjon Hoxhallari, ndërsa ekipi ka një ritëm tjetër në këtë sfidë. Stafi po bën të pamundurën që lojtarët të jenë gati për sfidën e së hënës.

Nga ana tjetër, Shehi me shumë mundësi do të luajë me më të mirët, duke filluar nga Bekaj në portë e Ngoja në sulm. Dilema është vetëm një: nëse Toli do të luajë në të djathtë apo në qendër të mesfushës.

Gjithsesi, Shehi ka kohë deri të hënën për të vendosur 11-shen që do të luajë ndaj Partizanit. Trajneri kërkon që dy bomberët Ngo e Seferi të jenë në formë, ndërsa pret që Xhixha të vazhdojë serinë pozitive dhe të tundë rrjetën edhe në sfidën me të kuqtë.

TIR

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"