Mbledhje e jashtëzakonshme për Flamurtarin, ja çfarë pritet të ndodhë me skuadrën vlonjate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2020 | 23:41

Mbledhje e jashtëzakonshme për Flamurtarin, ja çfarë pritet të ndodhë me skuadrën vlonjate

Këshilli Bashkiak i Vlorës do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme vetëm për Flamurtarin. Tashmë është caktuar si data ashtu edhe orari. Lajmin e kanë konfirmuar për “Panorama Sport” burime zyrtare pranë klubit kuqezi. Mbledhja është planifikuar që të zhvillohet të premten prej orës 10:00 në ambientet e pallatit të sportit.

flamurtari-750x375

Ajo është thirrur nga Sinan Idrizi nëpërmjet një letre drejtuar Bashkisë së Vlorës, e cila e ka aprovuar kërkesën e drejtuesit të klubit. Administratori i Flamurtarit u ka dërguar ftesë për të qenë të pranishëm në këtë mbledhje edhe deputetëve të Vlorës.

KËRKESA – Kompanitë turke aktualisht nuk kanë kontratë për administrimin e Flamurtarit, pasi skadoi më 31 korrik. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të ditës së premte, do të diskutohet për shtyrjen e kontratës. Në letrën drejtuar Bashkisë së Vlorës, administratori kërkon me urgjencë një mbledhje jashtë radhe për të diskutuar vetëm për çështjen e Flamurtarit.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

Duke mos pasur të tjerë të interesuar për të marrë klubin e futbollit Flamurtari, kompanitë turke kanë shprehur gatishmërinë që të marrin në administrim klubin edhe për 1 vit, por me kushtin që kjo të jetë fazë tranzitore dhe më pas të funksionojë privatizimi me ligjin e ri të sportit. Në letër Idrizi e bën të qartë se pas një viti nuk qëndron më me këto kushte te Flamurtari dhe se ky është viti i fundit që administron klubin.

PROJEKTI – Në letrën drejtuar Këshillit Bashkiak, Sinan Idrizi i njeh këshilltarët me një projekt që e ka gati e që bën fjalë për ndërtimin e akademisë së Flamurtarit. Sipas këtij projekti në Pyllin e Sodës kompanitë turke kërkojnë ndërtimin e dy fushave të tjera të sportit, një stadiumi me 2000 vende, një restorant, sallën e trajnimit dhe infermierinë.

Nëse Këshilli Bashkiak jep aprovimin, ky projekt përfundon së ndërtuari brenda tre muajve, pasi për të do të përdoren prodhime dhe module të gatshme. Tashmë pritet mbledhja e së premtes e Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku mendohet që të diskutohet rreth të ardhmes së Flamurtarit, mbledhje e cila po pritet me mjaft interes.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"