Mbipopullim te Bylisi, dy brazilianët priten titullarë ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2021 | 21:05

Mbipopullim te Bylisi, dy brazilianët priten titullarë ndaj Teutës

Bylis është përqendruar totalisht te sfida e radhës në kampionat, me Teutën në Durrës. Një sfidë delikate, me ballshiotët që do të kërkojnë rezultat pozitiv, ndonëse në Durrës vitet e fundit janë mundur dhe kanë pasur kontestime për gjyqtarët.

bylis

Trajneri Veljko Dovedan është duke e përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duket se edhe lojtarët e ardhur janë duke u përshtatur mjaft mirë me pjesën tjetër të skuadrës. Brazilianët, Neto Markolonjo dhe Lorran, pritet që të jenë titullar në Durrës, duke zëvendësuar Ndrecën e pezulluar si dhe Valentino Murataj, i cili është transferuar te Partizani. Ndërsa Mëllugja, i cili do të vijojë si shokë skuadre me Muratajn te “demat”, javët e fundit nuk ka luajtur, pasi klubi i pati dhënë më shumë hapësira dyshes Kardozo-Ujka.

Ballshiotët kanë shitur edhe Gresild Likën në Kosovë, duke mbajtur 50% të kartonit. Nga sa u pa në sfidën me Tiranën, nuk u ndje mungesa e tre lojtarëve të mësipërm. Ballshiotët presin edhe 2-3 futbollistë nga merkato, prurje cilësore, sidomos për mbrojtjen dhe sulmin. Bylisi ka nevojë për afrime që të bëjnë diferencën në ekip, madje edhe në Superiore.

KONTIGJENTI – Bylisi ka aktualisht 35 lojtarë, ku një pjesë e tyre luajnë me skuadrën U-21 dhe atë U-19, ndonëse figurojnë të federuar. Me ardhjen e përforcimeve të fundit, organika shtohet edhe më shumë. Porta, mesfusha dhe sulmi janë repartet e mbipopulluara në Ballsh, ndonëse ka pasur largime këtë periudhë.

DEBUTON SAMBA– Skuadra U-21 e Bylisit ka luajtur dje me Shënkollin U-21, takim i cili u fitua 6-1 nga ballshiotët. Qardaku dhe Carkanji shënuan nga dy herë, si dhe një gol e realizoi Samba, që ka luajtur takimin e parë zyrtar me ballshiotët. U shënuan edhe dy autogola, Emini për Bylisin dhe Marku për miqtë. Trajneri Dovedan e ka ndjekur nga afër takimin duke mbajtur shënime për lojtarët. ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"