Mbipopullim në mesfushë, Vllaznia i bën “naze” Vucajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2017 | 14:57

Mbipopullim në mesfushë, Vllaznia i bën “naze” Vucajt

Emri i Erjon Vucajt ka ditë që lakohet si një afrim i mundshëm në radhët e Vllaznisë. Mes mesfushorit shkodran dhe drejtuesve të klubit ka pasur kontakte, por akordi duket ende larg. Lojtari e ka shprehur hapur dëshirën për t’u rikthyer në Shkodër, pas aktivizimit disavjeçar me ekipin e Laçit dhe një eksperience të shkurtër me Tiranën.

vucaj

Gjithashtu edhe trajneri Cungu gjithnjë e ka pëlqyer si futbollist dhe dëshiron që ta ketë nën urdhrat e tij edhe te Vllaznia. Megjithatë, akordi mes palëve duket ende larg. Arsyeja është shumë e qartë: Aktualisht, Vllaznia ka nevojë për përforcime në mbrojtje dhe në sulm, ndërsa për repartin e mesfushës, ku luan Vucaj, për momentin nuk ka shumë nevojë.

Në këto rrethana, edhe bisedimet kanë ngecur, por në ditët e ardhshme pritet një takim mes tij dhe administratorit të klubit Astrit Gjyrezi. Vllaznia e kërkoi këtë futbollist një muaj më parë me insistim, por ai preferoi të qëndronte te Laçi. Në këto rrethana, drejtuesit kuqeblu morën Hasanin, Likën, si dhe rinovuan kontratat me futbollistët aktualë të mesfushës si Tafili, Bardulla, Krymi, Kalaja e Kruja.

Laci-Kastrioti 1-0, Vucaj ne dyluftim me Sefen

Gjithashtu, nën kontratë janë edhe Çinari e Vecaj. Kjo do të thotë se ky repart është i mbipopulluar dhe afrimi i mundshëm i Vucajt do të shtonte edhe më shumë “hallet” për stafin teknik, pasi më tepër se gjysma e këtyre lojtarëve do të përfundojnë në stol. Problemi nuk është vetëm ky.

Erjon Vucaj Tirana

Ekipi shkodran po sheh me interes tregun për të gjetur ndonjë portier, mbrojtës qendre apo dhe sulmues, reparte këto që kanë nevojë për përforcime. Në këto kushte, nuk është shumë e qartë nëse Erjon Vucaj do të firmosë me Vllazninë apo jo. Afrimi i mesfushorit do të rriste cilësinë te kuqeblutë, por do të rritej akoma më shumë mbipopullimi në mesfushë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"