Mbi dy muaj pa fituar, Marantas: Harrojeni rrëzimin e Luftëtarit, ja si mbijetojmë në Superiore
Luftëtari po kalon një moment kritik, sepse pas 13 javësh kampionat pozicionohet në vend të parafundit me vetëm 8 pikë. Ajo që e bën situatën më të vështirë është fakti se skuadra qëndron e distancuar me 9 pikë më pak nga Vllaznia e vendit të tetë, një pozicion që në fund të sezonit të çon në një ndeshje “play-out” për qëndrimin ose jo në Superiore.
Si për koincidencë, kundërshtari i radhës i bluzinjve është pikërisht Vllaznia, teksa ndeshja do të luhet të shtunën në orën 13:30 në Gjirokastër. Luftëtarit i duhet patjetër fitorja për të shkurtuar diferencën në 6 pikë dhe për të shpresuar edhe më tepër te mbijetesa. Mirëpo, bluzinjtë kanë që prej 14 shtatorit që nuk arrijnë të fitojnë në kampionat, pikërisht atëherë kur thyenin 2-1 në shtëpi Flamurtarin. Kanë kaluar më shumë se dy muaj e gjysmë nga ai takim, ndërkohë që të shtunën tri pikët janë më jetike se kurrë për të rikthyer besimin në skuadër. Trajneri grek, Jorgos Marantas, është besimplotë për vazhdimësinë dhe këtë e shpreh në një bisedë për “Panorama Sport”.
Ai është i bindur te cilësitë e lojtarëve të tij, ndërsa pret fitoren ndaj Vllaznisë. “Po punojmë për të bërë gjëra të mira dhe të kthehemi te fitorja. Shfrytëzuam ditët e ndërprerjes së kampionatit për të parë më nga afër gjendjen e skuadrës, duke zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore. Besoj se në ndeshjen me Bylisin lojtarët treguan grintë dhe karakter, por pati edhe nga ata që nuk bënë mirë. Do të doja që gabimet e fundit të mos përsëriten dhe lojtarët të punojnë më fort për t’u përmirësuar.
Unë jam i bindur se Luftëtari do të qëndrojë në Kategorinë Superiore. Këtë gjë duhet ta dinë mirë të gjithë. Ta kenë të gjithë të qartë, duke filluar nga populli gjirokastrit dhe jo vetëm. Ta kenë parasysh edhe të gjithë kundërshtarët e Luftëtarit se nuk do të jemi ne skuadra që do të biem. Unë shpreh bindjen e plotë dhe insistoj se me 2-3 ndërhyrje të mira në janar, do t’ia dalim”, deklaroi Marantas.
Stërvitja – Skuadra u është rikthyer dje përgatitjeve në fushën “Lefter Millo” të Dervicianit. Kjo javë përkon me ndeshjen ndaj Vllaznisë dhe trajneri Marantas do të fokusohet më tepër te fiksimi i formacionit. Me përjashtim të mbrojtësit Aurel Demo, i cili u stërvit i diferencuar, të gjithë të tjerët morën ngarkesën e duhur fizike. Stafi teknik ka provuar manovra të ndryshme si në lojën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Shpesh Marantas ka lëvizur formacionin dhe risia e ndeshjes së fundit ishte aktivizimi në qendër të mbrojtjes i mesfushorit Donald Açka. Megjithatë, këtë herë rikthehet qendërmbrojtësi Isufi, i cili mungoi në Vlorë për shkak dëmtimi.
Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"