Mbeti pa u federuar, Bruno Lipi rrëfen “divorcin” e kushtëzuar me Flamurtarin: Taivo ishte një njeri shumë i mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2020 | 15:05

Mbeti pa u federuar, Bruno Lipi rrëfen “divorcin” e kushtëzuar me Flamurtarin: Taivo ishte një njeri shumë i mirë

Ndodh edhe kështu. Stërvitet dy muaj me Flamurtarin dhe në fund nuk federohet, por ngushëllohet me faktin se kampionati u pezullua dhe të njëjtin fat patën edhe të tjerët. Është kjo historia e Bruno Lipit, i cili ekskluzivisht në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” rrëfehet për të parën herë pas largimit të detyruar nga Vlora. Është rritur në Greqi, por pakkush e di që është puro vlonjat. Mesfushori 26-vjeçar flet për gjithçka, duke filluar nga karantina e për të kaluar tek aventura te kuqezinjtë. Ai na zbulon edhe një pasion tjetër veç futbollit, atë për tatuazhet.80886326_1204334176623937_4700132882902508561_n

Bruno, si po i kaloni ditët e karantinës?

Ditët e karantinës janë vërtet të lodhshme nga ana psikologjike. Është një test për njerëzimin dhe që duhet të gjithë ta kalojmë me sukses. Unë qëndroj në shtëpi. Nuk dal nëse nuk kam diçka të rëndësishme për të bërë.

Cilat janë kufizimet aty në Greqi?

Këtu lejohet të dalësh për vrap në qoftë se je vetëm dhe nëse ke dërguar mesazhin për të njoftuar autoritetet që ke dalë, përndryshe ndëshkohesh me gjobë 150 euro.

Në Greqi gjendet këto ditë edhe trajneri Troisi. Keni komunikuar së bashku?

Me trajnerin Trosi kemi thjesht komunikim telefonik. Flasim shpesh së bashku. Diskutojmë përgjithësisht për këtë situatë, pasi tani për tani, mendja vetëm aty është.

Flasim pak për një eksperiencë të hidhur që keni përjetuar në Vlorë. Pse nuk u federuat?

Nuk u federova për shkak se transferimet ishin mbyllur për ekipin, siç e dini edhe ju. Edhe ditët që u hap merkatoja prapë nuk bëhej gjë për mua, sepse ekipi që unë luaja para se të vija në Vlorë, ishte gjysmëamator.

Ndieni keqardhje për këtë?

Më vjen shumë keq të them të drejtën, sepse dëshira ime ishte shumë e madhe për të luajtur me Flamurtarin. Kam lidhje shpirtërore me këtë ekip, pasi unë jam nga Vlora. Pavarësisht se jam rritur në Greqi, njerëzit e mi e kanë ndjekur gjithmonë Flamurtarin, kudo dhe kanë qenë tifozë të zjarrtë.

Si e zgjidhët më pas kontratën me Flamurtarin?

Unë firmosa me Flamurtarin një kontratë për 1 vit. Bisedimet pastaj për të ndërprerë marrëdhëniet pas mosfederimit tim u bënë me mirëkuptim nga të dyja palët.

BRUNO LIPI

E mendoni një rikthim në Vlorë në një të ardhme?

Nuk i dihet kurrë se si mund të vijnë gjërat. Flamurtari është ekipi i qytetit tim, kështu që edhe mundet të kthehem sërish.

Sa mendoni se i ka shanset Flamurtari për mbijetesë, nëse kampionati do të rinisë?

Për mbijetesën me thënë të vërtetën është gjë shumë e vështirë. Por, unë në dy muaj që punova me ekipin pashë ndryshim. Trajneri Troisi dhe lojtarët që erdhën do ndihmojnë shumë deri në fund që skuadra të ketë një vazhdimësi pozitive. Më vjen keq për situatën ku gjendet ekipi, pasi Flamurtari është me histori dhe fanellë shumë të rëndë.

Me kë krijuat më shumë afrimitet te Flamurtari?

Me të gjithë djemtë kisha shumë konfidenca të mira. Nuk dua të veçoj ndonjë, pasi shkoja shumë mirë me të gjithë.

Ju pamë afër edhe me lojtarin e Milanit, Taivo. Çfarë tipi kishte dhe pse u largua?

Ishte një person shumë i mirë. Kështu që ke shumë gjëra që të mësosh nga një njeri që ka bërë gjithë atë karrierë. Nuk e di pse iku, nuk e pyeta se nuk doja ta vija në siklet.

Veç futbollit çfarë pasioni keni tjetër?

Kam pasion tatuazhet. Në trup kam shumë tatuazhe dhe të gjitha kanë të bëjnë me gjërat që unë kam përjetuar në jetë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"