Mbajti shiritin, Agiare i premton besnikëri Apolonisë: Kemi bërë marrëveshje paraprake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2021 | 23:30

Mbajti shiritin, Agiare i premton besnikëri Apolonisë: Kemi bërë marrëveshje paraprake

Benjamin Agiare po bëhet gati për vitin e dytë në Fier. Ganezi ishte një ndër lojtarët më të spikatur tek Apolonia, aq sa mori edhe shiritin e kapitenit. Mbrojtësi u premton besnikëri bardhejeshilëve dhe këtë e konfirmon enkas për “Panorama Sport”, gjatë një komunikimi në rrjetet sociale.

AGIARE APOLONIA

“Shqipëria më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme, sidomos Fieri. Ka njerëz të mrekullueshëm, të komunikueshëm, të afrueshëm dhe ne futbollistët e kemi këtë privilegj, pasi njerëzit të flasin dhe të përshëndesin gjithandej, kudo që të ndodhesh. Janë të gjitha këto mbresa që më bënë ta dashuroj Fierin, vendin tuaj. Për sa i përket futbollit, Apolonia është një klub që funksionon më së miri, që nga drejtuesit e gjer te lojtarët

. Kemi pasur një skuadër me lojtarë të rinj, por me talent dhe kampionati superior u ka shërbyer për t’i rritur më shumë. Me drejtuesit kemi bërë një marrëveshje paraprake për të vazhduar bashkëpunimin edhe sezonin e ardhshëm dhe besoj se të dyja palët do t’i qëndrojmë fjalës.

Jam i bindur që do të ndërtojmë një skuadër të fortë dhe me një projekt të qartë për t’u kthyer përsëri në Superligë. Shpresoj që skuadra të ruajë pjesën më të madhe të lojtarëve të vjetshëm, pasi kuptohemi mirë dhe do të ishte pozitive edhe për skuadrën”, thotë qendërmbrojtësi i Apolonisë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"