Mbajnë topin më shumë sesa duhet, Novi: Lojtarët janë të përkëdhelur, Lalën e lashë vetë jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 19:21

Mbajnë topin më shumë sesa duhet, Novi: Lojtarët janë të përkëdhelur, Lalën e lashë vetë jashtë

Luftëtari mori një tjetër humbje, këtë herë ndaj Vllaznisë. Edhe pse pritej një lloj reagimi, Neritan Novi theksoi se ekipi bëri aq sa mundi. Në një deklaratë të dhënë fill pas ndeshjes për “Panorama Sport”, trajneri analizoi atë që ndodhi në fushë dhe në kompleks shprehet i kënaqur nga reagimi i të tijve.

novi

“Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë. Çunat dhanë gjithçka në fushë, por futbolli ky është. Skuadra u shfaq mirë, ndoshta pasi Vllaznia nuk ishte në nivelet e kundërshtarëve të tjerë që jemi ndeshur. Ekipi m’u përgjigj. Nuk kam çfarë t’u kërkoj më shumë. E kam thënë edhe herë të tjera, Luftëtari është ekip me moshë të re, pa eksperiencë dhe në fund të fundit do gabojnë”, tha fillimisht tekniku i bluzinjve. Franc Lala nuk u aktivizua asnjë minutë ndaj shkodranëve, madje nuk ishte as pjesë e stolit. Dhe arsyen përse ndodhi kështu, e jep vetë trajneri:

“Lalën e kam lënë vetë jashtë, pasi gjatë javës nuk ka bërë stërvitje ashtu siç unë dëshiroja. Të gjithë janë të barabartë. Janë 25 futbollistë dhe kush do stërvitet gjatë javës, do të jetë në 11-she”. Novi ka edhe një shpjegim edhe për mbajtën e tepruar të topit nga lojtarët. “Kjo ndodh ngaqë janë disi të përkëdhelur lojtarët e Luftëtarit, dhe siç kam thënë dhe herë të tjera, një pjesë janë me ekipet e moshave të kombëtareve.

Po ta mbajnë topin, u duket se do ta zgjidhin situatën e lojës, por ka shumë raste dhe momente në lojë që duhet ta luajnë më shpejt topin”, përfundoi tekniku i gjirokastritëve, i cili sot do të nisë stërvitjen anti-Laç me 5 mungesa të sigurta. Arlis Shala, Enes Isufi, Arbër Mehmetllari, Aldrit Oshafi dhe Redon Dragoshi grumbullohen në “zborin” e Kombëtares dhe nuk mund të përgatiten me Luftëtarin.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"