Mazrekaj, sherr verbal me stafin italian të “demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2016 | 10:53

Mazrekaj, sherr verbal me stafin italian të “demave”

Mentor Mazrekaj, pas një mungese të gjatë, për shkak të operacionit që kreu në kaviljen e këmbës së djathtë, prej disa ditësh ka nisur përgatitjet në terren, por jo me ekipin e parë. Mazrekaj së fundmi është stërvitur me Partizanin B dhe dje pritej që t’i bashkohej ekipit të parë në stërvitje.

Mentor-Mazrekaj

Por kjo gjë nuk ka ndodhur as dje, madje situata e kosovarit është pështjelluar më shumë. Gjatë ditës së djeshme ka pasur një përplasje verbale mes mesfushorit kosovar dhe dy trajnerëve italianë të përgatitjes fizike të Partizanit. Me sa u tha, shkau i zënkës së djeshme ka qenë mosdakordësia e përgatitësit atletik Kristiano Xhanoti që lojtari t’i bashkohej ekipit të parë.

Është bërë publik prej kohësh që Mentor Mazrekaj nuk është në planet e stafit të ri teknik. Ndonëse degdisja te Partizani B shikohet si fazë riaftësimi, kjo konsiderohet thjesht pretekst i stafit italian për ta mbajtur larg mesfushorin. Sipas dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm, Mazrekaj ka qenë shumë i irrituar me përgatitësin Xhanoti dhe ndihmësin e tij italian.

Të bërtiturat e sherrit janë dëgjuar edhe jashtë ambienteve të hotelit të klubit, ku është zhvilluar përplasja mes palëve. Fjalori ka qenë i larmishëm në kontekstin e sharjeve, por fatmirësisht nuk ka pasur përplasje fizike mes palëve. Mësohet se trajneri Adolfo Sormani është munduar gjatë që të qetësojë palët, por pa rezultat.

Pas debatit, Mazrekaj ka dalë nga hoteli me çantën në dorë. Fillimisht lojtari është ulur në një lokal pranë, ku është qetësuar dhe më pas thuhet se u largua drejt vendlindjes, në Kosovë. Tani mbetet për të parë se cili do të jetë vendimi që do të marrë klubi, pikërisht në kohën kur Mazrekaj shikohej pranë rikuperimit të plotë dhe bashkimit me skuadrën.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"