Mazrekaj në luftë me kohën, s’ka alarm për Deliun. Ja situata te Laçi para Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 15:11

Mazrekaj në luftë me kohën, s’ka alarm për Deliun. Ja situata te Laçi para Partizanit

Skuadra e Laçit ka nisur përgatitjet në prag të sfidës me Partizanin, që është tepër delikate për të dyja ekipet. Ky duel do të luhet në “Elbasan Arena” ditën e shtunë, në orën 16:00.

Mazrekaj goli

Në vigjilje të kësaj sfide, trajneri Shpëtim Duro do të ketë të gatshëm edhe mesfushorin Ardit Deliu. Ai pësoi një dëmtim kundër Kastriotit, por jo aq problematik sa për ta mbajtur jashtë për ndeshjen ndaj Partizanit. Mirëpo halli më i madh është Mentor Mazrekaj.

Sulmuesi anësor nuk është stërvitur me grupin dhe mbetet në dilemë për ndeshjen kundër ish-ekipit të tij. Fatnazisti ka pësuar një tërheqje të lehtë dhe shanset e aktivizimit të tij janë 50 me 50. Ndërsa mbrojtësi i majtë, Emiljano Musta, do të mungojë për shkak kartonësh, pasi ka plotësuar numrin. Në vend të tij pritet të luajë Rudolf Turkaj.

ECURIA – Laçi ka ecurinë më të mirë në Superiore. Kurbinasit kanë 5 fitore radhazi dhe kanë pësuar vetëm 1 gol në këto sfida. Mbrojtja duket në nivelet më të larta, ndërsa edhe sulmi ka shënuar.

Pas kësaj ecurie mjaft të mirë, kur Laçi ka marrë 15 pikë të plota, kurbinasit e shohin veten në vend të tretë në renditje, në kuotën e 36 pikëve, vetëm një më pak se Partizanit i vendit të dytë. Prandaj, sfida në Elbasan ndaj “demave të kuq” merr një rëndësi edhe më të madhe për kurbinasit, të cilët janë një ndër ekipet pretendente për titullin kampion këtë sezon në Superiore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"