“Mazrekaj i pafat ndaj belgëve, ja çfarë pres nga ekipi”, Anderleht-Laçi, Duro: Misioni u mbyll në Rumani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2021 | 12:11

“Mazrekaj i pafat ndaj belgëve, ja çfarë pres nga ekipi”, Anderleht-Laçi, Duro: Misioni u mbyll në Rumani

Ndeshja e sotme, e dyta me Anderlehtin, mund të jetë edhe e fundit për trajnerin Shpëtim Duro në drejtimin e Laçit. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” në prag të transfertës së Brukselit trajneri kryeqytetas tregon se çfarë pret nga ekipi në përballjen e sotme me Anderlehtin synimet, problemet që ka ekipi në këtë sfidë, ku Mazrekaj nuk ia del sërish, dhe në fund, si gjithnjë, me kodim foli për të ardhmen e tij në krye të skuadrës kurbinase.

Shpetim Duro

SFIDA ME ANDERLEHTIN

Humbja 3-0 e javës së shkuar nuk i lë shanse kualifikimi Laçit në Belgjikë, gjithsesi trajneri Duro pohoi se skuadra e tij e ka arritur një objektiv historik në Rumani dhe tani pret nga lojtarët që ta mbyllin verën europiane me një paraqitje dinjitoze me Anderlehtin. Pyetjes se çfarë pret Duro sot nga ekipi, iu përgjigj:

“E kam thënë edhe më parë që misioni i Laçit mbaroi që me arritjen e objektivit historik ndaj një kundërshtari të fortë si Universitatea Krajovës.

Sigurisht që kemi dëshirë, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë ishte negativ ndaj një skuadre të madhe si Anderlehti. Kualifikimi është i pamundur, por shpresojmë që si ekip të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta mbyllim këtë verë të shkëlqyeshme që kaluam me Laçin në Europë”.

KEQARDHJE PËR MAZREKAJN

Mentor Mazrekaj nuk ia del sërish dhe mbetet mungesa e vetme për Laçin sot. Trajneri shprehu keqardhje që 32-vjeçari nuk pati mundësi të luajë në dy sfidat me Anderlehtin. Mazrekaj nuk luan.

“E kam theksuar edhe më parë se nuk është në gjendje që të aktivizohet. Më erdhi keq, pasi do të ishte mirë edhe për lojtarin që të aktivizohej në dy ndeshjet me Anderlehtin. Kishte kënaqësi të luante edhe Mazrekaj, sepse nuk vijnë shpesh këto raste.

Patjetër që mungesa e tij na dëmtoi si skuadër, por njëkohësisht edhe ai nuk pati kënaqësinë të luaj këto dy ndeshje me Anderlehtin.

Deri tani që po flasim, disa orë para ndeshjes, nuk kemi probleme të tjera në ekip. Gjithsesi, do të shikojmë si do të jetë situata deri para fillimit të takimit të kthimit”, u shpreh më tej trajneri i Laçit për gazetën.

E ARDHMJA TE LAÇI

Shpëtim Duros i ka mbaruar kontrata me Laçin, por trajneri gjithnjë ka pohuar se do ta drejtonte ekipin në Europë dhe më pas do të fliste me presidentin Laska. Edhe pse aventurës europiane po i vjen fundit, Duro sërish vijon me versionin e vjetër, duke e lënë pezull të ardhmen e tij në krye të kurbinasve.

“Jam i përqendruar edhe te ky takim. Të mbarojmë një verë jashtëzakonisht të lodhshme, por shumë të bukur për sa i përket rezultatit me këtë skuadër që dha maksimumin e forcave të tyre.

Falë këtij angazhimi morëm arrije historike për klubin, ku bëmë krenar të gjithë opinionin sportiv të Laçit, por edhe mbarë Shqipërinë. Të mbarojmë këtë ndeshje, pastaj të shikojmë dhe do të diskutojmë”, përfundoi trajneri i laçit, Shpëtim Duro.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"