Matija: PAOK-u ka prishur garën, kemi bërë reklamim në UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2017 | 14:58

Matija: PAOK-u ka prishur garën, kemi bërë reklamim në UEFA

Presidenti i skuadrës kampione të Vllaznisë në futboll për femra, Lazer Matija, ka shprehur indinjatën e tij për manovrën e skuadrës greke në raundin kualifikues të Ligës së Kampioneve të vlefshme për Grupin 10. Në një prononcim në linjë telefonike për gazetën “Panorama Sport” nga Sarajeva ku po luhen edhe ndeshjet, titullari i shkodraneve pranoi se PAOK-u ka prishur garën me aktivizimin e futbollistes së pafederuar në ndeshjen hapëse të grupit ndaj luksemburgaseve të Betemburgut, të fituar nga greket 8-0.

lazer matija

“Futbollistja Eleni Giannou nuk ka udhëtuar fare me ekipin në Sarajevë. Nën emrin e saj, skuadra greke ka aktivizuar një tjetër futbolliste të pafederuar, Chrysa Tsakiri. Në ndeshjen e parë pikërisht kjo futbolliste ka luajtur për 90 minuta, ndërsa në të dytën ndaj nesh pasi u vumë në dijeni të aktivizimit kemi informuar në kohë delegaten e ndeshjes. Kundër nesh kjo lojtare ka qenë në protokollin e ndeshjes me emrin Eleni me numër 3.

Lojtarja ka qenë e vendosur në një cep të stadiumit ku ne kemi arritur ta fotografojmë. Gjithashtu kemi edhe materiale të tjera, të cilat ia kemi vënë në dispozicion UEFA-s që nga momenti i nisjes nga Selaniku dhe kur ekipi i PAOK-ut ka mbërritur në Sarajevë ku kjo lojtare ka bërë foto dhe është me emrin Tsakiris. Madje në hotelin ku janë akomoduar dhe në ndeshje ajo është prezantuar me emrin Eleni.

Vllaznia femra

Për rastin e konstatuar kemi bërë reklamimin pranë organeve të Komisionit të Disiplinës dhe nesër (sot) do të bëjmë edhe pagesën, duke qenë se rastisi fundjavë. Mund t’iu konfirmoj se edhe dy skuadrat e tjera në grupin tonë janë të bindura se është bërë një falsifikim nga pala greke. PAOK-u ka prishur garën duke aktivizuar një lojtare të pafederuar”, deklaroi fillimisht presidenti i Vllaznisë në futbollin e femrave.

I pyetur nëse klubi shkodran do të kërkojë me ngulm humbjen e ndeshjes në tavolinë të ekipit grek, Matija u përgjigj: “Ne nuk kërkojmë asnjë gjë veçse institucioni i UEFA-s të zbatojë rregulloren e saj”. Matija komentoi edhe qëndrimin e palës luksemburgase, e cila ra “viktimë” e skuadrës bardhezi. “Nuk e kanë mbajtur të fshehtë, por nuk e kanë marrë vesh. Në dijeninë tonë, ata kanë njoftuar delegaten e UEFA-s. Kanë bërë ankesë, por jo zyrtare”, përfundoi prononcimin e tij Matija.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"