Mateus plas “bombën”: Flik më tha se do të largohej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 11:02

Mateus plas “bombën”: Flik më tha se do të largohej

Ish-kapiteni i Bajernit, Lotar Mateus, nuk është dakord me sjelljen e trajnerit aktual të kampionëve të Gjermanisë, Hansi Flik. Në një emision sportiv në mediat vendase, Mateus ka kritikuar Flikun për mënyrën se si driblon në konferencat për shtyp pyetjet për të ardhmen e tij në Mynih dhe mosmarrëveshjet me Hasan Salihamixhiç.

Mateus

“Kam dëgjuar shpesh fjalën, “Pyetja tjetër”. Mendoj që kjo nuk është e drejtë për të gjithë tifozët e Bajernit, të cilët meritojnë ta dinë përgjigjen për të ardhmen e tij në klubin bavarez. Çfarë do të ndodhë? Askush nuk jep asnjë përgjigje konkrete në skuadër. Nuk është korrekte. Do të më pëlqente që shoku dhe miku im, Flik, të fliste hapur për atë që po ndodh te kryesuesit e Bundesligës. Fola me Hansin para ndeshjes dhe më dha përshtypjen se do të largohet në fund të sezonit”, tha Matues duke trazuar të gjithë ambientin bavarez.

Kujtojmë që në mediat gjermane është përfolur shumë për një largim të Flikut në fund të sezonit. Këto zëra janë shtuar edhe më shumë pas vendimit të Joakim Lëv për t’u larguar nga kombëtarja e Gjermanisë. Një post që Flik vështirë se mund ta refuzonte duke parë që ka punuar edhe më parë në DFB. Por, deri tani nuk kemi asnjë hap konkret qoftë nga Federata Gjermane e Futbollit ashtu edhe nga trajneri Flik, i cili ka theksuar se për momentin është i fokusuar vetëm tek ecuria e tij me Bajernin. Eliminimi nga Champions-i mund të rëndojë më shumë te 56-vjeçari, që tani i ka ngelur vetëm kampionati. Gjithsesi, mosmarrëveshja me drejtorin teknik ekziston dhe për këtë klubi mësohet të marrë disa vendime në fundin e këtij sezoni.

CHAMPIONS – Mateus nuk harroi të komentonte edhe eliminimin e Bajernit në çerekfinale duke thënë se: “Parisi shfrytëzoi në maksimum kundërsulmet e tij. Është për të ardhur keq, pasi Bajerni dominoi për 180 minuta dhe në fund i duhet ta pranojë eliminimin. Mendoj që dhe sot (dje), gjermanët ishin skuadra më e mirë në fushën e lojës. Por, kështu e ka futbolli”, tha Mateus për “Sky”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"