Materaci: Unë dhe Mou një ditë do të drejtojmë Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2012 | 13:49

Materaci: Unë dhe Mou një ditë do të drejtojmë Interin

Marko Materaci ka lënë rolin e fut bollistit prej kohësh, por e bën shumë mirë detyrën e kritikut sportiv. Ai flet qartë dhe në mënyrë të sinqertë, duke treguar se është ideal për këtë punë. Ish-lojtari analizon situatën tek Interi, si dhe blerjen e verës Antonio Kasano, që ka sjellë shumë debat në botën zikaltër. Por ai flet edhe për garën për titullin kampion.
Murinjo dhe Zeman – Materaci në rolin e opinionistit flet edhe për dy trajnerë të veçantë në llojin e vet, Zdenek Zeman dhe Zhoze Murinjo. “Flas shpesh me Murinjon, e di që është i lumtur në Madrid dhe ka një ekip shumë të fortë. Mou është i dashuruar me Interin. Nuk i duhet, por shpresoj që një ditë do të kthehemi të dy e të punojmë bashkë”. Sa për teknikun roman që ka ndezur atmosferën në javët e para të kampionatit, ishmbrojtësi tha: “E vlerësoj sinqeritetin që ka, nuk dua të jem në vend të tij kur të shkojë në Torino. Por që të arrijë Murinjon duhet të fitojë gjithçka dhe deri tani s’e ka bërë. Ia uroj atij. Me siguri Roma, ashtu si edhe Napoli, mund t’i hapin probleme Juves, që do të luftojë për titullin, bashkë me ekipet milaneze”.
Kasano – “Antonios i kanë krijuar kushtet e duhura. Tani mund të bëjë diferencën. Me Shnajderin dhe Militon, me kthimin e Kivusë dhe Samuelit në mbrojtje, zikaltrit mund të synojnë titullin kampion dhe s’do të jetë më problemi i shumë golave të pësuar. Pastaj, a e patë sa mirë po ecën Ranokia? Siç e kisha parashikuar. Është pasardhësi im”, thotë Materaci. Por ai ndalet tek marrëdhëniet me fantazistin barez. “Flas shpesh me të, e di si është gatuar. Është njeri i vërtetë, që shpërthen kur e gënjejnë. Por kur ka një njeri të sinqertë me të, atëherë ai rri i qetë e s’i krijon probleme shoqërisë, edhe nëse nuk luan gjithmonë si titullar”.
Skandali – Materaci thotë se është ende herët për të folur për skandalin e trukimit të ndeshjeve. “Do të prisja derisa gjithçka të përfundonte, para se të jepja gjykime. Duket se Milaneto, Danieli, Palasio dhe Krishito nuk kanë shumë të bëjnë me faktet e publikuara. Mendoj se Milaneto ka vuajtur më shumë sesa duhet. Duhet shkuar në burg kur bëhen gjëra të rënda dhe jo për të tilla akuza të ngritura ndaj tij. Krishito në nivelin sportiv mendoj se ka humbur një rast të madh, atë të të qenët zëvendëskampion i Evropës”, deklaroi ai. Ish-mbrojtësi zikaltër më pas foli për çështjen “Vieri”. Gjykata italiane dënoi klubin dhe një kompani telefonike që t’i paguajnë ishbomberit për përgjim 1 milion euro. “Unë asnjëherë nuk jam përgjuar dhe mendoj se fakti që Bobo ka qenë nën përgjim, ka pak të bëjë me lojën. Realisht Interi nuk i dëmtonte ekipet e tjera. Nëse e ka bërë të ndihet keq Bobon, e kuptoj se përse ai do ta ndjekë në rrugë gjyqësore këtë çështje. Por këtë të mos e përziejmë me komunikimet me arbitrat. Ndoshta gjëra të këndshme ose të ligjshme nuk mund të jenë, por dëme s’i kemi bërë njeriu, përveçse vetes”.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"