Materaci: Juvja s’duhet të fitojë, nëse “digjet” gëzojmë dyfish…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2018 | 12:38

Materaci: Juvja s’duhet të fitojë, nëse “digjet” gëzojmë dyfish…

Askush më shumë se Marko Materaci nuk e interpreton të qenit interist. Si zikaltër ka fituar gjithçka dhe, edhe tani që pret një pankinë, vazhdon të bëjë tifo për Interin.

Materaci

Materaci, luhet Inter-Juventus: çfarë prisni?

Një ndeshje të madhe që çdo interist do donte të luante. Në fushë apo… nga shkallët e stadiumit. Unë do jem në stadium, duke bërë tifo.

Çfarë do jepnit për të qenë në fushë?

Të jesh protagonist i një ndeshjeje të tillë nuk ka çmim, sepse kur në lojë janë mundësia për të fituar titullin dhe kualifikimi në Ligën e Kampioneve, emocionet janë në maksimum.

Sipas jush si përfundon?

Them “1”. Interi nuk mund ta humbasë nga duart këtë rast të rëndësishëm drejt rikthimit në Champions, duke i ndërlikuar ndërkohë rrugën e titullit një rivali historik. Nëse nuk fitojnë në Milano rrezikojnë të parakalohen dhe gëzimi për interistët do ishte dyfish.

Alegri tha: “Për ne do jetë një sfidë vendimtare për sezonin”. Dhe Juventusi, sfida të tilla…

…Nuk i gabon, e di mirë. Janë të “egërsuar”, për këtë arsye edhe më të rrezikshëm. “San Siro” është shtëpia jonë. Dhe në shtëpinë tonë Juventusi nuk duhet të fitojë. Nëse nuk fitojmë ndaj bardhezinjve do e ndërlikonim shumë mundësinë për t’u renditur mes katër të parave.

E prisnit humbjen e Juves të dielën?

Jo, por Napoli nuk vodhi asgjë: “axurrët” nuk rrezikuan shpesh, por ishte Juvja që u angazhua pak. Tani kampionati është plotësisht i hapur: Alegri mbetet gjithmonë në avantazh, por transfertat në Milano e Romë janë dy rreziqe të mëdha.

Bufoni me shokë janë më të “dobët” se në të shkuarën?

Mbeten të fortë: në Serinë A, 20 lojtarë me tituj si ata s’i ka askush.

Interit sa i mungon për të ngushtuar hendekun me Juven e Napolin?

Bëhet fjalë për procese të ndryshme zhvillimi sepse Alegri e Sarri punojnë me të njëjtin grup prej 3-4 vitesh, ndërsa Spaleti erdhi në verë. Është e drejtë t’i jepet kohë: Interi ka cilësi, por pa paratë e Champions-it dhe me limitimet e “Fair Play Financiar” nuk mund t’i lejojë vetes asnjë gabim në merkato.

Me De Vrijn, Auzilio ka marrë një tjetër… Materaci?

Stefani është një fenomen, një mbrojtës që të siguron 6-7 gola në kampionat e që drejton repartin: vërtet një blerje e madhe. Cila është përballja me Juventusin që ju kujtoni më me kënaqësi? Superkupa italiane e 2005-s, në Torino, e fituar me gol të Veronit në shtesë. Po më e dhimbshmja? 5 maji… E di që përballë s’kishim Juven, por dukej sikur ishin ata.

Ronaldo së fundmi ka thënë: “Interi luftonte kundër një sistemi të korruptuar”. Jeni dakord?

Më 5 maj, Ronaldo ishte në fushë dhe e respektoi mendimin e tij që, njëkohësisht, është ai i çdo interisti. Ka pasur disa deklarata të tjera, mbi të cilat do thosha diçka.

Cilat?

Ato të Çekarinit për Juve-Inter të 1998-ës. Unë nuk isha në fushë, e kam ndjekur si tifoz i thjeshtë, por kujtoj mirë se çfarë ndodhi. Nga fjalët e tij u ndjeva keq, e gjithë bota e pa. Nëse pas 20 vitesh është i bindur se duhet të kishte ndëshkuar me të verdhë Ronaldon për simulim, nuk di vërtet nëse të qesh apo të qaj. Gaboi një herë dhe vazhdon së gabuari.

Lacio-Inter në javën e fundit, të rikthen në mendje titullin e humbur më 5 maj 2002.

Më 5 maj të 2010-ës në “Olimpico” fituam Kupën e Italisë, njërin nga tre trofetë e parë të tripletës dhe sistemuam disa gjëra. Edhe pse atë ndeshje të 2002- shit do doja shumë ta riluaja… Interi aktualisht ka mundësi të shkruajë të ndërrojë faqe: me 3 pikë nuk do fitonte titullin, por rikthimi në Champions do ishte një hap i rëndësishëm për të përvetësuar historinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"