Maskerano: Nuk e bën Leo Mesi formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2014 | 19:36

Maskerano: Nuk e bën Leo Mesi formacionin

Mesi dhe Maskerano

Mesfushori Havier Maskerano sqaron se nuk ka asnjë shqetësim në Kombëtaren e Argjentinës, sa i përket debatit mes trajnerit Ajehandro Sabeja dhe yllit Lionel Mesi në lidhje me skemën taktike. Sipas të përditshmes argjentinase “Ole”, ka pasur një përplasje mes të dyve dhe “Pleshti” i ka kërkuar që ndaj Bosnjës të përdoret skema 4-3-3. Por Maskerano hedh poshtë të tillë zëra dhe thekson se lojtari i Barçës nuk është nga ata njerëz “që mund të vendosë ose të heqë një futbollist”. Futbollisti shtoi se përgjegjësia për paraqitjen jo shumë të mirë ndaj boshnjakëve në takimin e parë duhet ndarë mes të gjithëve, ndërkohë që e quajti teknikun Sabeja inteligjent dhe të ndershëm. “Unë e njoh mirë Mesin dhe ai nuk është nga ata persona që mund të vendosin ose të largojnë një lojtar nga formacioni. Nuk ka të bëjë me mënyrën e tij të vepruarit. Ai është një djalë, që asnjëherë nuk zgjedh mes njërit shok apo tjetrit. Nuk vepron kështu Mesi. Nuk e ka në karakter. Nëse do të mund ta bënte këtë gjë, do të ndihej shumë keq”, tha mesfushori, që “Pleshtin” e njeh mirë, duke qenë se të dy luajnë te Barça. Ai e bën të qartë se të tilla funksione janë kompetenca të Sabejas. “Tek Argjentina ne kemi një trajner që vendos se cilin lojtar të fusë në fushë dhe cilin të largojë. Mesi nuk ka punë me të tilla gjëra, sepse në këtë mënyrë do të tregonte mungesë të theksuar respekti ndaj Sabejas”.
Debati – Lidhur me vendimin e trajnerit argjentinas për të ndryshuar skemën në pushimin e takimit ndaj ballkanasve, Maskerano sqaron: “Sabeja nuk u konsultua me asnjë nga lojtarët në pushim të takimit në lidhje me një ndryshim të strategjisë. Është e kuptueshme që ai e vendosi. Përveç kësaj, në mes të takimit është shumë e vështirë që një futbollist të mund të gjykojë dhe të shikojë se cila lëvizje taktike duhet bërë. Sabeja diskutoi me bashkëpunëtorët e tij lëvizjen dhe më pas neve na shpjegoi se si duhet të luajmë”, sqaroi mesfushori. Maskerano është optimist se Argjentina do ta kalojë me sukses sfidën e radhës ndaj Iranit, që të mund të hedhë një hap të sigurt drejt kualifikimit për në 1/8-at e Botërorit.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"