E PLOTË/ Mashtrimi i Moxhit pas dështimit: Nuk punova kurrë te Partizani, ja pse isha në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2018 | 23:01

E PLOTË/ Mashtrimi i Moxhit pas dështimit: Nuk punova kurrë te Partizani, ja pse isha në Tiranë

Luçiano Moxhi e ka fshirë Partizanin nga lista e klubeve ku ka punuar. Ndoshta sepse dështoi keqazi. Vetëm një vit pasi ai u prezantua si njeriu që do të ringrinte legjendën e kuqe jo vetëm drejt trofeve të rëndësishëm, por edhe në arenën kombëtare. Në intervistën e dhënë pak javë më parë për revistën prestigjioze “Guerin Sportivo”, ish-drejtori i Përgjithshëm i Juventusit rrëfen të pathëna interesante për karrierën e gjatë në botën e futbollit italian, por ndërkohë mohon të ketë qenë ndonjëherë pjesë e rëndësishme e Partizanit.

Ai mohon gjithashtu edhe të ketë qenë këshilltar i klubit kryeqytetas, ndonëse u prezantua krejtësisht ndryshe në kampin e kuq. Moxhi solli Iulianon trajner te “demat” dhe më pas një tufë lojtarësh “fantazmë” që nuk lanë asnjë gjurmë. E kemi fjalën për Xhixhiua, Basrak, La Kamera, Selvaxho, Shahinas, Adorjan, Herrera, Alvesh, etj. Nëse ju kujtohet, blerjen e parë të sezonit të kaluar, Blerim Kotobellin, e prezantoi pikërisht Moxhi…

moxhi demi

Kush ishte lojtari i parë që zbuluat?

Enco Badiani i Piombinos. Bëhet fjalë për vitet ’60 kur isha një zbulues i thjeshtë dhe mbaja Juven të informuar për lojtarët që mund t’i shërbenin. Badiani ishte sulmues i të rinjve dhe unë e bleva për 9 milionë lireta. Mendoja se mund të bëhej një lojtar klasi, por ai u dëmtua rëndë dhe karriera e tij përfundoi shpejt.

Me Paolo Rosin ju eci më mirë apo jo?

Bëhet fjalë për vitet ’70. Rosi luante me Praton dhe ishte një bast i rrezikshëm sepse kishte dëmtuar tri herë kroçatin e gjurit. Për më tepër që familja e tij ishte kundër. Kishte pasur një vëlla me të rinjtë e Juves dhe pas një viti klubi e kishte kthyer mbrapsht. Por, në fund e binda.

Si zbulohet një futbollist?

Futbollisti i madh zbulohet vetë. Po ju marr rastin e Zolës, kur punoja te Napoli, e blemë për 300 miliardë lireta. Ish-presidenti Torres më bëri namin dhe më thoshte: “Ç’më duhet ky?”. Më pas e shitëm 15 miliardë lireta te Parma…. Po kështu edhe me Maradonën. Më kritikuan pa fund, por ai ua shpërbleu 100-fish. Te Roma çova Pruicon dhe Ançelotin. Ky i fundit i kishte pasur gjunjët copëcopë, por aty la gjurmë ama.

Kur shkuat për herë të parë te Juvja, çfarë mbani mend?

Aty gjeta njeriun e duhur: Italo Alodi. Sapo shkova i vura kushtet e mia dhe ai pak kohë më pas më pastroi rrugën… i shkarkoi të gjithë zbuluesit e talenteve, duke më lënë të punoja sipas stilit tim. Kuptoheshim mirë me të…

Ju keni punuar me trajnerë të mëdhenj, cilët ju vijnë ndërmend tani?

Lipi, Ançeloti, Kapelo dhe Liedholm. Të gjitha këta më mësuan edhe pak mua zanatin e trajnerit.

Çfarë i vlerësoni më shumë Lipit?

Ndryshimin që i bënte skuadrës gjatë një ndeshjeje. Nuk gabonte kurrë.

Po Ançeloti?

Karizmatik dhe i besueshëm. Ka për të bërë gjëra të mira te Napoli.

Kapelo?

Më inteligjenti nga të gjithë. Kishte edhe shpirtin e sipërmarrësit dhe kjo i thjeshtonte shumë gjërat.

Lidholm?

Kishte cilësitë më të mira të tre të tjerëve.

Pse Zeman ju kritikon vazhdimisht?

(hesht për disa sekonda)… Shikoni, nuk jam zënë kurrë me atë njeri dhe sinqerisht ndonjëherë më dhimbset kur e shkarkojnë vazhdimisht nga skuadrat që u del për zot.

Ju keni qenë drejtues i shumë skuadrave: Juventus, Napoli, Roma, Torino dhe Lacio. Nëse mbyllni sytë, cila skuadër ju vjen ndërmend?

Juventusi.

Cila është arritja juaj më e madhe?

Fitorja e Botërorit 2006.

Po nuk e fituat ju atë Botëror, të mos e ekzagjerojmë…

Në finalen Itali-Francë kishte në fushë 5 juventinë me të kaltrit dhe 4 juventinë me “gjelat. Ishte edhe Lipi trajner. Madje, edhe masazhatori ishte i Juves. E gjitha “anija” ishte mbushur me juventinë dhe prandaj them se atë Botëror e kam fituar edhe unë.

Pas “calciopolit” në 2006-ën thatë se ju kishin vjedhur shpirtin…

Tani jam larg gjërave që të lëndojnë apo që të bëjnë të gëzohesh. Por duhet ta dini se në një grup kriminal duhet të bëjnë pjesë 3 persona ose të paktën dy apo jo? Por, jo. Isha vetëm unë. Dhe unë paskërkësha pasur edhe një bandë me veten time…

Të flasim për kampionët… Maradona?

Më i miri në botë nëse do të kishte pasur një jetë sportive më të rregullt.

Cilët janë tre lojtarët më të fortë që keni blerë në karrierën tuaj?

Maradona, Del Piero dhe Ibra.

Nuk është Baxho?

Del Piero ishte më i fortë se Baxho. Me këtë të fundit nuk shkoja mirë sepse donte të luante si fantazist. Ishte i zoti, bënte gola spektakolarë, por nuk e pasonte kurrë topin. U detyrova ta shes.

Çfarë ka speciale Ibra?

Përveçse është shumë i zoti, nëse ai beson tek ty është gati të vdesë për ty.

Çfarë njeriu ishte Xhani Anjeli?

I jashtëzakonshëm. I zgjuar, me sens humori dhe shumë karizmatik. E takova për herë të parë në vitin 1994 dhe menjëherë krijuam një lidhje të veçantë.

Shprehja e famshme e Anjelit për ju ishte: “Stallieri i mirë duhet t’i njohë deri në detaj hajdutët që i vjedhin kuajt e të zotit”. Ju nuk u mërzitët atëherë…

Nuk mund të mërzitesha sepse ai kishte të drejtë. Në futboll ka shumë kuaj dhe shumë hajdutë dhe nëse punon si drejtor i një klubi të madh, duhet të kesh njohuri për të dyja palët…

Po, por në rastin e Bobo Vierit ju e bëtë Anjelin të dukej si budalla…

E vërtetë. Ishte dita e Asamblesë së Juves dhe ortakët i kërkonin llogari. Ai më mori në telefon edhe më pyeti se çfarë duhej të thoshte për Vierin në atë asamble. “Nuk do ta shesim”, i thashë unë… Por, për dreq, ditën tjetër Vieri erdhi në zyrën time, përplasi derën dhe më ulërinte duke më kërkuar që të ikte. I thashë: “Dua 36 miliardë lireta cash”. Atletiko m’i solli ato para pas 3 orësh dhe ai u shit.

Jeni penduar për ndonjë gjë?

Jam penduar për të mirat e mëdha që i kam bërë futbollit.

Që do të thotë?

U kam bërë shërbime të mëdha klubeve ku kam punuar, por edhe kombëtares. Ua thashë që Botërorin 2006 e fitova edhe unë.

Si ju duket Mançini?

Është njeriu i duhur sepse ka karizmën e duhur. Por…

Por… çfarë?

Ka marrë përsipër të nxjerrë në breg një anije që fut ujë nga të gjitha anët.

Të kthehemi pak në kohët e sotme, ju çfarë deshët në Shqipëri?

Unë?

Po, ju. Ishit në Tiranë te klubi i Partizanit. Këshilltar…

Nuk kam qenë kurrë këshilltar i atij klubi, por i kam dhënë vetëm një dorë një mikut tim dhe kam këshilluar një drejtues.

Si e morët Zidan?

Isha duke parë Milan-Bordo në Champions. Isha me Ariedon Braidën në tribunë. U kthyem në Itali dhe unë kisha marrë Zidanin për 5 miliardë lireta, ndërsa Mialni mori Dygarrinë për 18 miliardë…. (qesh). Më pas e shitëm Zidanin për 150 miliardë lireta. Një biznes i jashtëzakonshëm për Anjelin në ato vite, sepse FIAT-i po kalonte kohë të errëta dhe ato para i bënë shumë punë.

Cila është blerja më aventureske që keni bërë?

Kur mora Nedvedin nga Lacio.

Pse?

Sepse kisha shkuar në Romë dhe e kisha bindur Kranjotin (ishpresidentin e Lacios), por ndërkohë Paveli nuk donte. Nisi të më bënte numra dhe në fund më tha se kishte dëshirë që të luante edhe golf. I thashë se mund të luante golf te pronat e Anjelit. I dërgova një aeroplan privat dhe i thashë: hajde shikoje, nëse nuk të pëlqen terreni, mos firmos. Askush nuk do ta marrë vesh.

Po pastaj çfarë ndodhi?

Lajmërova pasi u sigurova që ishte nisur me avion, njoftova të gjithë gazetarët dhe u thashë se kam blerë Nedvedin. Kur mbërriti në aeroport, u shtang dhe e kuptoi që nuk kish më kthim.

Pse nuk kishte kthim?

Ej, ishte koha kur Lacio rivalizonte me Juven për titullin. Si mund të kthehej më në ekip, pasi kishte vizituar Torinon… (qesh).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"