Martini “zbor” lojtarëve, Teuta pret shpërthimin e sulmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 10:55

Martini “zbor” lojtarëve, Teuta pret shpërthimin e sulmit

Kur fiton, gjithçka harrohet, ndoshta jo gjithçka, sidomos kur ke një problem që nuk gjen zgjidhje dhe që mund të kushtëzojë renditjen përfundimtare. Teuta fitoi 2-0 kundër Skënderbeut dhe golat erdhën nga këmbët e dy mesfushorëve më me eksperiencë në Shqipëri, Emiliano Vila dhe Erando Karabeci. Deri diku gjithçka OK, por shqetëson aspekti finalizues i skuadrës. “Djemtë e detit” prodhojnë lojë falë Emiljano Vilës, Bregut, Lorenco Vilës, por në një mënyrë apo në një tjetër nuk ia dalin që ta dërgojnë topin në rrjetë me thjeshtësi. Teuta ka sulmin e 5-të të kampionatit me vetëm 19 gola të shënuar, dy me shumë se Tirana e Kastrioti. Objektivi është titulli kampion. Thuhet që ndeshjet i fiton sulmi dhe titujt, mbrojtja. Mbrojtjen e ka “blind”, i gjithë problemi është te shprehja “ndeshjet i fiton sulmi”, sepse vështirë që sulmi i 5-të i kampionatit, ku më keq kanë bërë vetëm e Bylisi e Apolonia, në fund të dërgojë te trofeu. “Do punojmë për t’u përmirësuar” është retorika e trajnerit Edi Martini, por deri më tani është një ekuacion që ende nuk po gjen një zgjidhje.
151512142_10159128816114462_4236114252381749093_o
PËRGATIJET – Ekipi i vijon seancat stërvitore me intensitet të lartë. Teuta iu është rikthyer me energji seancave stërvitore. Në orën 10:00 ekipi zhvilloi stërvitje të karakterit fizik në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” ku të gjithë lojtarët ishin të përkushtuar nën urdhrat e përgatitësit atletik, Eduart Salillari. Për rreth 50 minuta, lojtarët zhvilluan disa ushtrime të ndryshme pa top dhe në fund disa xhiro vrap rreth fushës e pak streçing për shkrydhje. Më pas, në orën 14:30 blutë u drejtuan fushës së kompleksit sportiv “Olympic Park” në Durrës. Përpara se të niste seanca stërvitore trajneri i Teutës, Edi Martini, u shpreh përpara ekipit. ‘Djem, kemi hyrë në një javë që është tepër e rëndësishme për të gjithë ne, ndaj duhet të jemi të mobilizuar në maksimum dhe të japim më të mirën në stërvitje për të vijuar me ecurinë pozitive, pasi siç dihet tashmë jemi në një fazë të rëndësishme të kampionatit” u shpreh Martini. Më pas, në drejtimin e teknikut dhe stafit teknik skuadra vijoi përgatitjet intensive të karakterit tekniko-taktik. Fillimisht, ekipi kreu disa vrapime dhe ushtrime me top, ndërsa më pas stërvitja vijoi më lojtarët të ndarë në dy grupe, duke zhvilluar lojëra të ndryshme dhe në fund Martini punoi dhe me pjesën sulmuese duke bërë goditje në portë për të qenë më efikas në ndeshje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"