Martini, sa shumë dilema para… finales. Ja gjendja e skuadrës te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 18:02

Martini, sa shumë dilema para… finales. Ja gjendja e skuadrës te Teuta

Të shtunën, në orën 19:00, në “Elbasan Arena”, do të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Shqipërisë, Teuta-Vllaznia, sfidë që çel sezonin e ri futbollistik në vendin tonë. Teuta, që e ka fituar për herë të fundit Superkupën e Shqipërisë, i ka të gjitha mundësitë për ta përsëritur suksesin e sezonit të shkuar, ndërkohë që edhe ambicia e madhe është triumfi ndaj Vllaznisë. E vështirë është, por kur një skuadër ka karakter, mund të realizojë ëndrrën.

teuta

DILEMA – Teuta në prag të misionit “Vllaznia”. Kampionët e Shqipërisë janë në përgatitjet e fundit për sfidën e parë zyrtare të sezonit ndaj Vllaznisë, në program këtë të shtunë në Elbasan. Do të tentohet, pa dyshim, fitorja dhe një ndeshje pozitive për të mundësuar nisjen e sezonit me trofe. Gjithsesi, për Edi Martinin të gjitha mendimet janë për këtë sfidë me skuadrën shkodrane. Dilemat e trajnerit shkodran nuk mungojnë për formacionin më të mirë të mundshëm përballë Vllaznisë. Teknikut i duhet të përballet me dilema e mungesa: Lorenco Vila është i dëmtuar dhe nuk mund t’ia dalë, Erando Karabeci është zyrtarisht i larguar.

E megjithatë, problemet më të mëdha dhe dyshimet për teknikun vijnë nga mbrojtja dhe mesfusha, pasi sulmi duket i blinduar sa u përket alternativave, me Sebino Plakun hero të kualifikimit ndaj Inter Eskaldes me një dygolësh e po ashtu elementë me peshë si Valport e Georgiev, Gruda, Kapllani. Largimi i fundit i Dragavskit përzien kartat jo vetëm për mesfushën, por edhe për mbrojtjen, pasi me largimin e Rustem Hoxhës dhe Renato Arapit që tashmë ka rolin e drejtorit teknik, Martinit i duhet të gjejë dyshen e repartit, ku me alternativa momentalisht janë Jazxhi dhe Adolf Selmani, por drejtuesit po punojnë për afrimin e një qendërmbrojtësi, pasi është pjesa ku Teuta ka më shumë nevojë. Sa i përket mesfushës, opsionet nuk mungojnë, me Dajën, E.Vilën, Aleksin si mesfushorë qendre dhe Kallakun fantazist. Gjithsesi, janë seancat e fundit stërvitore ato që do të shuajnë dilemat e fundit për formacionin anti-Vllaznia për Teutën, që vjen në këtë sfidë e motivuar dhe gati, megjithatë në Durrës duan që kjo verë të zgjasë sa më shumë, ndaj kërkojnë të luajnë një ndeshje perfekte të shtunën.

PËRGATITJET – Teuta s’ka kohë për të humbur, teksa vijon përgatitjet për ndeshjen e 28 gushtit me Vllazninë. Atmosfera është optimiste për ndeshjen ndaj kuqebluve. Stërvitja e djeshme, e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, për dyshen Martini-Hodo kishte të bënte më së shumti me rigjetjen e ritmit e të metave dhe dobësive të treguara në seancat e mëparshme. Paradite blutë kanë zhvilluar një seancë stërvitore nën urdhrat e përgatitësit atletik Eduard Salillari. Ekipi ka punuar me vrapime dhe ushtrime të tjera pa top. Ndërsa pasdite para se të niste seanca stërvitore sipas një plan-programit të hartuar nga stafi teknik. E gjithë skuadra ka zhvilluar testimet e nevojshme dhe faza e parë mendohet të realizohet në këto ritme, ku lojtarët në ditët e djeshme janë peshuar për të krijuar një ide me të qartë të stafit teknik për gjendjen e tyre.

Pasdite me ndarjen e lojtarëve në grupe dhe formacioneve të përziera, Martini u kërkoi të tijve përqendrim dhe përpikëri në zbatimin e detyrave teknikotaktike. Ritmi i stërvitjeve është i lartë, skuadra punoi me dy seanca të kombinuara për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike. Në stërvitje ishin të gjithë futbollistët, ku vlen të theksohet se skuadrës i është bashkangjitur edhe Lorenco Vila, i cili gjatë javës ka punuar veçmas grupit nën kujdesin e stafit mjekësor dhe pritet të jetë nën urdhrat e Martinit për javën e parë të sezonit të ri në Superiore.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"