Martini: Presioni është mbi Kukësin, Vila: Shënojmë shpejt dhe kapim finalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2020 | 14:42

Martini: Presioni është mbi Kukësin, Vila: Shënojmë shpejt dhe kapim finalen

Nga Kukësi te Kukë si. Pasi humbën me shifrat 3-0 në kampionat me këtë kundërshtar, tashmë Teuta do të tentojë revanshin në Kupën e Shqipërisë. Pikërisht sot në orën 20:45 do të zbresin në “Niko Dovana” për të luajtur ndeshjen e dytë gjysmëfinale. Në Durrës e duan kualifikimin dhe këtë e pohon edhe Edi Martini, gjatë daljes për mediat.
Edi Martini teuta
“Është një ndeshje që nuk lejohen gabimet. Do punojmë fort, pasi është një 90- minutësh shumë i rëndësishëm për ne. Ndeshja e parë u nda 0-0, ndaj shanset për kualifikim janë të barabarta. Kemi përballë një ekip shumë të mirë, ndaj duhet kujdes nga minuta e parë deri tek e fundit. Humbja 3-0 në kampionat? Nuk e kisha menduar, pasi po bënim lojëra shumë të mira. U dënuam shumë shpejt me dy gola dhe kjo na preu edhe këmbët. Në pjesën e dytë, kur na dolën edhe dy lojtarë më të kuq, nuk kishin më forcë të reagonim. Megjithatë, kjo i ndodh ekipeve më të mëdha se ne.

Ta lëmë pas krahëve dhe të mendojmë për nesër (sot). Në kushtet që luhet pa tifozë, shanset janë 50 me 50. Ne tentuam që të shënonim në ‘Elbasan Arena’, por s’ia dolëm. Tani duhet të jemi vigjilentë dhe të kërkojmë me çdo kusht që të kualifikohemi. Nuk kam frikë për objektivat, e kam thënë që në krye të herës që duam Europën.

Në kampionat presim Partizanin dhe jemi 4 pikë përpara, kur kanë mbetur edhe 3 javë. Jemi në rrugën e duhur për ta siguruar nga elita, por ky është një shans që t’ia dalim edhe me anë të Kupës. I dimë pikat e dobëta të kundërshtarit, edhe pse janë të pakta. I kemi në kokë, por mos prisni që t’jua them këtu. Jemi dy skuadra që e duam finalen dhe trofeun. Ne dhe Kukësi i meritojmë vendet ku jemi. Presioni është në të dy krahët, për të mos thënë që ata e kanë më shumë”, u shpreh trajneri gjatë konferencës.
bregu vila
VILA – Optimist për kualifikimin është edhe Emiljano Vila, i cili për “Panorama Sport” mendon se barazimi pa gola i favorizon ata. “Ne do të jemi të karikuar dhe do të japim më shumë se 100% për të kapur finalen. Duam ta kalojmë Kukësin, pasi objektivi ynë i vetëm është vetëm ky: të marrim një trofe për 100- vjetorin. E lehtë nuk do të jetë, pasi përballë do të kemi një  kundërshtar që ka një grup mjaft të organizuar dhe meriton respekt. Por, kjo nuk na ndryshon qëllimin, do luajmë për kualifikim. Nuk e kishim menduar të pësonim 3 gola në kampionat, por do vinte një moment që dhe ne do humbnim një ndeshje… Të mos harrojmë që kemi luajtur një herë në 3 ditë dhe ngarkesa është e madhe. Pra, duke i bërë një përmbledhje të gjithë takimit, mendoj se pjesa e parë nuk ishte shumë e mirë për ne, duke parë që edhe kundërshtari kërkonte të bënte një paraqitje të mirë. Në pjesën e dytë gjërat nuk shkuan ashtu siç donim, megjithatë ta arkivojmë dhe të mendojmë për Kupën. Dëshira jonë dihet. Është normale që jo vetëm ta mendojmë, por edhe të besojmë dhe kërkojmë që të jemi në finalen e këtij kompeticioni. Natyrisht që përpara se të kalojmë te finalja, duhet të kalojmë edhe këtë pengesë me emrin ‘Kukësi’. E rëndësishme është që të shënojmë një gol e më pas ta kemi ndeshjen nën kontroll. Barazimi i bardhë na favorizon disi. Ishte një rezultat që e morëm me shumë mund, por edhe me një lojë të luftuar dhe të bukur. Mirë është që të shënojmë në ndeshjen e kthimit, kështu do t’ia bëjmë edhe më të vështirë kundërshtarit. Nëse do ketë një ekip që do të na rrezikojë vendin në Europë, ai do jemi vetëm ne. Me këtë dua të them që çdo gjë është në dorën tonë. Gjithsesi, Laçi dhe Partizani janë kundërshtarët tanë dhe natyrisht ata si çdo ekip kërkojnë që të arrijnë më të mirën. Unë besoj se jo vetëm që do t’ia dalim për vendin e tretë. Deri në fund do shkëputemi, pasi si Partizanin dhe Laçin i presim në Durrës dhe e kemi vetë fatin tonë në dorë. E njohim shumë kundërshtarin. E kemi përgatitur ndeshjen duke llogaritur edhe mungesat e tyre, por sërish ata kanë lojtarë me kualitet. Ekipi është përgatitur për të përballuar më shumë se 90 minutat. Nuk na ka marrë shumë kohë Kukësi për ta studiuar, pasi e dimë shumë mirë si është ndërtuar ai ekip dhe si punon trajneri i tyre. Besoj se nuk jemi vetëm ne që e njohim kundërshtarin, por edhe Kukësi na njeh ne”, përfundoi mesfushori.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"