Martini gjen formacionin ideal, Teuta do shkëputjen në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 16:59

Martini gjen formacionin ideal, Teuta do shkëputjen në krye

Teuta po kalon një moment mjaft të mirë dhe këtë do të kërkojë ta shfrytëzojë edhe të shtunën ndaj Apolonisë, në ndeshjen që do të luhet në orën 16:00 në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Trajneri Edi Martini është i qetë në prag të kësaj ndeshjeje, pasi me një grup të plotë dhe me titullarët që mposhtën Laçin javën e kaluar, të cilët po kalojnë një formë të mirë, idetë janë të qarta për formacionin anti-Apolonia.

teuta

Durrsakët kanë gjetur stabilitet javët e fundit, pasi Martini ka gjetur formacionin ideal. Ashtu si kundër Laçit edhe të shtunën pritet të luajnë të njëjtët futbollistë. Në portë do të jetë i zakonshmi Frashëri, i cili ka pësuar vetëm 11 gola në 26 javë kampionat, duke qenë portieri më i mirë i Superiores. Në mbrojtje Martini pritet të aktivizojë katërshen me Todorovskin në të djathtë, Hoxhën dhe Arapin në qendër, si dhe Xhekson në të majtë. Në mesfushë lojtarët e saktësuar që më parë. Me skemën 4-3-3, treshja e mesfushës do të përbëhet nga Aleksi, Emiliano Vila dhe Asion Daja, me këtë të fundit disi më të spostuar afër sulmuesit kryesor, Blerim Krasniqi. Nga krahët e ofensivës do të jenë Lorenco Vila dhe Dejvi Bregu.

STËRVITJA – Në takimin e radhës do të mungojnë sërish mbrojtësi i majtë, Aleksandër Kuro dhe fantazisti Iran Gonçalves, të cilët kanë ditë që janë dëmtuar dhe ende nuk janë riaftësuar plotësisht. Të dy lojtarët janë bashkuar me skuadrën, por duke kryer stërvitje të diferencua. Nga ana tjetër, sulmuesi Ildi Gruda ka lënë pas dëmtimin në tendinë dhe dje u fut me grupin me ngarkesë të plotë. Ai do të jetë i gatshëm për Martinin në ndeshjen e radhës, duke e nisur nga stoli. Në seancën e djeshme, trajneri fillimisht mbajti një fjalim para ekipit, duke kërkuar nga skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë. Trajneri ka kërkuar që lojtarët ta heqin mendjen nga renditja, por të mendojnë vetëm për Apoloninë. Për më shumë se 80 minuta futbollistët janë ndalur në aspektin e përgatitjes fizike, më pas në veprimet mbrojtëse me ushtrime të veçanta dhe më tej në situata të ndryshme në lojë me grupe. Gjendja e ekipit është e mirë, gjithashtu edhe harmonia që ekziston. Dëshira dhe motivi i tyre për të bërë mirë është i madh.

Teuta45

TITULLI – Dy sfidat e radhës janë në transfertë me ekipet e vendeve të fundit si Apolonia dhe Skënderbeu, e më pas në Durrës kundër Tiranës. Me fitoren ndaj Laçit, Teuta kapi kreun, por tani do që të marrë një tjetër trepikësh në Fier dhe të shpresojë të shkëputet nga rivalët më të afërt. Nëse durrsakët bëjnë mirë detyrat e tyre ndaj Apolonisë, atëherë do të përfitonin jo pak nga rezultati i mundshëm në Laç, aty ku vendësit presin Vllazninë. Një humbje apo barazim i mundshëm i shkodranëve, e kombinuar me triumfin e Teutës, i mban “djemtë e detit” të vetëm në krye. Në Durrës shikojnë si aleat edhe kalendarin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"