Martini elozhe Teutës: Më kanë kënaqur, të mos…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2020 | 23:29

Martini elozhe Teutës: Më kanë kënaqur, të mos…

Teuta ka nisur minifazën përgatitore në Durrës, duke mos ndjekur skuadrat e tjera pretendente që kanë udhëtuar drejt Turqisë. Trajneri Edi Martini e nisi në stolin durrsak me dy fitore radhazi, ndërsa tani pret që skuadra të ketë vazhdimësi në kampionat, duke filluar nga ndeshja e javës së 18-të kundër Laçit, që do të luhet më 22 janar në stadiumin “Niko Dovana”.

ed-martini

Në një bisedë për gazetën, Martini tregoi për ditët e para të përgatitjeve pas pushimit, si dhe merkaton.

PËRGATITJET “Skuadra po merr ngarkesë dhe e rëndësishme është që lojtarët janë në gjendje optimale. Vetëm Kuro ka pasur një problem në gju, ndërsa futbollistët e tjerë kanë formë të mirë. Po stërvitemi në kushte të mira dhe jam i kënaqur me djemtë. Ata po punojnë shumë mirë dhe kjo më gëzon për të ardhmen. Atmosfera është pozitive dhe të gjithë punojnë me dëshirë. Sa i përket minifazës, kam kërkuar vetë që të bëhet në Durrës. Zhvendosja në Antalia më dukej shpenzim i kotë, sepse duke qëndruar këtu mund të shohim se çfarë bëhet edhe për merkaton. Ishte një vendim i marrë nga të gjithë ne”, ka thënë fillimisht Martini.

LËVIZJET: Deri më tani Teuta ka zyrtarizuar tri lëvizje në dalje, pikërisht Nikaç, Gashi dhe Xhemalaj. Ndërkohë, është afruar i riu shkodran, Ildi Gruda, si dhe pritet sulmuesi nga Tetova, Shefit Shefiti.

“Po kërkojmë disa lojtarë dhe them se jemi në rrugën e duhur. Nuk duam të nxitohemi, sepse presim të afrojmë lojtarë cilësorë, që vërtet të na shërbejnë në pjesën e mbetur të sezonit. Objektivat tanë dihen. Unë jam mjaft i kënaqur me djemtë, sepse e treguan edhe në dy ndeshjet e fundit, duke shfaqur një grintë të jashtëzakonshme”, përfundoi Martini, për të cilin është hera e dytë që drejton Teutën.

Fillimisht ai ka qenë në krye të stolit durrsak në vitin 2011, ndërsa në dhjetor të 2019-ës drejtuesit e Teutës e rikthyen shkodranin. Këtë herë “djemtë e detit” kanë ambicie të mëdha në kampionat dhe Kupë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"