Martini bën planin për kupën e katërt/ Dilema për formacionin anti-Vllaznia, ja manovrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2021 | 15:06

Martini bën planin për kupën e katërt/ Dilema për formacionin anti-Vllaznia, ja manovrat

Teuta shpreson ta nisë sezonin me trofe. Skuadra gjatë këtyre ditëve ka punuar shumë, që të shtunën të jetë gjithçka gati në funksion të trofeut. Nën drejtimin e trajnerit Edi Martini durrsakët vijojnë përgatitjet intensive, në pritje të seancës finale të ditës së nesërme ku do të qartësohet edhe formacioni.

Martini

Martini po punon gjithnjë e më shumë me repartin ofensiv dhe diçka e tillë ndodhi edhe dje, kur për minuta të tëra, trajneri demonstroi vetë mënyrën se si sulmuesit duhet të lëvizin në zonë, por jo vetëm. Skuadra punoi edhe me armën e saj më të fortë deri më tani, goditjet standarde.

Në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, të enjten ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Sportistët kanë shfaqur angazhim maksimal ndaj detyrave të dhëna prej trajnerit. Stafi teknik ka zhvilluar një seancë tekniko-taktike, pasi synojnë që ta përshtatin skuadrën për ndeshjen që do të zhvillohet të shtunën. Drejtuesit kërkojnë me çdo kusht që blutë ta nisin sezonin me fitore, por që të realizohet kjo, duhet kaluar së pari “malorja” Vllaznia.

Martini kërkon nga çdo lojtar që të jetë agresiv dhe të sulmojë. Pra, sipas tij, Teuta duhet të jetë një trup, që jo vetëm të mbrojë mirë, por edhe të sulmojë me krahët, ku mbrojtësit Todorovski apo Kotobelli, apo edhe Xhekson dhe Idrizaj me daljet e tyre të krijojnë epërsi numerike. Për trajnerin Martini është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje që do të thotë shumë për vijimësinë dhe nisjen e sezonit dhe objektivat madhorë që ka klubi.

Për këtë arsye, trajneri i bluve në seancën e djeshme fillimisht mbajti një fjalim të shkurtër, duke ndarë detyrat për gjithsecilin. Më pas e ndau skuadrën në tri grupe.

Binte në sy atmosfera e mirë në skuadër, ku nuk munguan as batutat mes lojtarëve. Pas ushtrimeve të përgjithshme, gjithçka u përqendrua te taktika në funksion të sfidës ndaj Vllaznisë. Gjasat janë që të ketë ndonjë ndryshim në formacion, edhe pse ndeshjet e deritanishme kanë treguar se reparti i mesfushës ka pasur lëvizje të shpeshta. Durrsakët besojnë se në këtë provë force ndaj kuqebluve të Brdariçit do të tregojnë atë që bënë në fundin e sezonit të kaluar.

Teuta

SKEMAT — Trajneri dje ka zgjedhur edhe një herë të punojë taktikisht me ekipin duke e vendosur në fushë në kushte loje, por duke i ushtruar më shumë presion qarkullimit të topit në distanca të ngushta dhe situatave të kundërsulmit qoftë aktiv edhe pasiv. Në mbyllje të seancës stërvitore, ekipi ka provuar edhe një herë formacionin që do të zbresë nga minuta e parë në fushë dhe gjithçka është mbyllur këtu.

ZAMIR QYPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"