Martinez kundër Deshampit, sfidën e fiton spektakli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 20:08

Martinez kundër Deshampit, sfidën e fiton spektakli

Nëse për Angli-Kroaci dikush mund të guxojë të bëjë parashikime, për gjysmëfinalen Francë-Belgjikë gjendja paraqitet e vështirë. Nga njëra anë është një ekip solid në prapavijë, që mbrohet nga i kudondodhuri Kante me një sulm supersonik dhe tepër efektiv. Për hir të së vërtetës, më shumë sesa spektakolare, skuadra e Deshamp është efektive.

E ndihmuar nga Mbapeja me Argjentinën dhe nga një Uruguai që zbriti në fushë me flamurin e bardhë, Franca duhet thënë se ka mbërritur në gjysmëfinale pa shumë vështirësi. Nga ana tjetër, Belgjika, një formacion tejet i talentuar, që gjithashtu nuk e ka njohur vuajtjen, nëse përjashtojmë pjesën e parë ndaj Japonisë. Fantastikë në sulm, belgët ekzaltohen në maksimum kur De Brujne, Hazard dhe Lukaku vendosin të “ndizen” në simultan. Rendimenti i njëjtë në 90 minuta është pika e tyre e dobët, por Roberto Martinez po mundohet të marrë masat.

martinez_deschamps

STRATEG SPANJOLL- Nëse vërejmë qëndrimin në fushë, Franca është më taktike. Deshamp ka luksin të ndryshojë skemë edhe në lojë “Gjelat” kalojnë nga 4-3-3 në një 4-2-3-1, ku Pogba ofron më shumë mbulim, sidomos në perspektivë të Belgjikës, ky ylli i Junajdit do të duhet të mbulojë atë të Sitit në derbin e Mançesterit, që në rastin konkret vlen një biletë për në finale. Nëse flasim për strategji, belgët janë lehtësisht të avantazhuar falë trajnerit të tyre. Martinez është risia e stolit në Rusi, me ndeshjen ndaj Brazilit, që ishte kryevepra e tij. Lukaku në krah dhe De Brujne në qendër të sulmit ishte lëvizja kyçe që shkërmoqi “Seleçao”-n. Franca ka tre sulmues dhe Belgjika mund të mos ndryshojë me Hazard që mund të spostohet në të djathtë për të sulmuar në territorin e Umtitit.

YJE DHE MESFUSHË – Sfida e parë gjysmëfinale mund të zgjidhet nga gjenialiteti i individualiteteve; me Mbape që duhet të jetë më konstant, Grizman që duhet të ngrejë nivelin dhe Pogba që duhet të shtojë kontributin në aspektin e golave. Fenomenet e Belgjikës, sidomos treshja De Brujne, Hazard dhe Lukaku, duhet të mësojnë të kursehen. Beteja e vërtetë do të jetë në mesfushë, ku Vitsel dhe Felaini treguan se çfarë mund të bënin që në takimin kundër Brazilit. Franca nuk ka asgjë braziliane dhe sidomos është e kujdesshme duke mos lejuar hapësira, siç bëri ekipi i Tites. “Gjelat” kundërsulmin e kanë shndërruar në art dhe deri tani nuk e kanë pësuar kurrë, por edhe nuk kanë hasur askënd me karakteristikat e belgëve, ndaj sfida pritet të jetë thjesht spektakolare…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"