Martinena, i lumtur te Kamza: Tani pres momentin tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 20:12

Martinena, i lumtur te Kamza: Tani pres momentin tim

Në takimin kundër Partizanit, te Kamza ka debutuar argjentinasi Nestor Martinena, i cili ndonëse është prapa me përgatitjet, tregoi se reflekset për të sulmuar portën dhe për të shërbyer për shokët nuk i mungojnë. Pas ndeshjes, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, sulmuesi argjentinas është ndierë i kënaqur nga aktivizimi, si dhe nga mikpritja që ka gjetur te Kamza. “Këtu ndihem mjaft mirë.

Martinena

Kamza ka një grup lojtarësh cilësorë dhe me përvojë, që kërkojnë shumë nga vetja në të mirë të skuadrës. Pavarësisht se vij nga Argjentina, ngrohtësia dhe miqësia që më kanë dhënë shokët e skuadrës së re më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. Ndaj Partizanit luajta minutat e para, por më duhet edhe pak kohë që të përshtatem dhe të mendoj njëlloj si lojtarët, pasi dihet se kam ardhur me vonesë këtu.

Ekipi ka grintë dhe me këtë grup lojtarësh që kam parë, Kamza mund të ecë më shumë duke u rritur nga ndeshja në ndeshje. Kemi kaluar dy skuadra mjaft të forta të kampionatit, që unë i njoh mirë që kur luaja për Dinamon. Shpresoj që shumë shpejt të vijë edhe momenti im te Kamza”, u shpreh Nestor Martinena.

Me sulmuesin argjentinas që është pranë gjetjes së formës, si dhe me ardhjen e Nuredin Orelesit, trajneri Bledar Devolli do të ketë më shumë cilësi dhe eksperiencë në radhët e skuadrës, pasi bëhet fjalë për lojtarë që e kanë shijuar edhe trofetë në Shqipëri. Shpresohet që të dy lojtarët të kapin sa më shpejt ritmin dhe ta nisin si titullarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"