Marshimi i kampionëve të Milanit/ Nga Atalanta te derbi, etapat e një kryevepre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 21:20

Marshimi i kampionëve të Milanit/ Nga Atalanta te derbi, etapat e një kryevepre

Nga Ibra tek Ibra. Sulmuesi suedez është i vetmi i mbijetuar i titullit së fundit të Milanit, të cilin kuqezinjtë e festojnë njëmbëdhjetë vjet nga hera e fundit pas një sezoni me nivele të larta takikardie. Kuqezinjtë, si për inat të moshës së re, përjetuan parakalimet dhe kundërparakalimet me Interin dhe Napolin, por qëndruan vazhdimisht në nivelet më të larta të renditjes.

MILAN

Një udhëtim i vërtetë që solli triumfin e skuadrës së Piolit, pavarësisht dëmtimeve të shumta që prekën sezonin dhe pavarësisht një prej moshave mesatare më të ulëta në të gjithë Serinë A (Lideri i grupit, për fat të keq të tij, më shumë nga tribuna sesa nga fusha, ishte veterani Zlatan Ibrahimoviç, por këtë sezon skuadra kishte meritën e madhe për t’u shmangur nga varësia prej suedezit dhe kjo ishte ndoshta kryevepra e vërtetë e Piolit që mori jetë në momentet kyçe të sezonit.

ATALANTA-MILAN 2-3 – Kuqezinjtë zbarkojnë në Bergamo më 3 tetor 2021 të gjymtuar nga dëmtimet. Kjo ndeshje tregon për herë të parë forcën e ekipit që gjen golin pas 50 sekondash me Kalabrian i shërbyer nga Teo. Mbrojtësit e krahut që sulmojnë qendrën do të jenë refreni taktik i “Djallit”.

Në atë sfidë dallohet edhe një nga shkëndijat e para të Tonalit që dyfishon shifrat pasi i shkul topin nga këmbët Frojlerit. Leao mbyll çdo diskutim, pavarësisht se Atalanta gjen kohë për dy gola, një nga të cilët duhej anuluar. Fitore e madhe dhe gabimi i parë arbitral që në atë rast nuk ndikoi në pikët e Milanit.

MILAN-ROMA 3-1 – Viti i ri, Milani i zakonshëm. Kuqezinjtë më 6 janar 2022 presin Romën me 7 mungesa. Kalulu dhe Gabia luajnë në mbrojtje dhe kanë në krah Florencin, teksa Kruniç bën mesfushorin. Shumë probleme organike, por asnjë shqetësim taktik me Milanin, një që i shkakton një kujtim të hidhur Murinjos në “San Siro” duke e mundur 3-1. Leao i kthyer nga dëmtimi ndan ndeshjen në dysh dhe ve në pah potencialin e kuqezinjve.

INTER-MILAN 1-2 – Më 5 shkurt “Djalli” luan derbin që paraprihet nga barazimi me Juven dhe një humbje me Specian për gabime foshnjarake të arbitrit Serra. Ndeshja me kushërinjtë nuk nis mirë dhe Milani qëndron në lojë vetëm falë disa mrekullive të Menjasë. Në pjesën e dytë, ngjitet në katedër Zhiru që i jep leksione De Vrajit me shokët. Dy gola në pak minuta që tregojnë nervin, tërbimin dhe dëshirën e Milanit për fitore. Veterani francez tregoi me fakte se si fitohet duke i dhënë një goditje të rëndë sigurive të ish-kampionëve të Italisë.

NAPOLI-MILAN 0-1 – Më 6 mars 2022, Milani i kthen vizitën Napolit. Në ndeshjen e parë kuqezinjve u ishte anuluar një gol për pozicion jashtë loje të Zhirusë, i cili i shtrirë në tokë nuk ndikoi në barazimin e Kesit. Sikur të mos mjaftonte, edhe goli i napolitanëve erdhi nga një këndore e sajuar nga anësori sepse prekjen e fundit nuk e kishte kryer një kuqezi. Sidoqoftë, ekipi i Piolit vuan disi në “Maradona”, por falë Zhirusë gjen kohë për të festuar ndaj një rivali direkt e për të tronditur ekuilibrat e kampionatit.

LACIO-MILAN 1-2 – Ekzaktësisht një muaj më parë në Romë kundër Lacios, kuqezinjtë vendosin një nga tullat më të rëndësishme për titullin. Të gjendur në disavantazh, kapen përsëri pas Zhirusë që dhuron barazimin dhe entuziazëm. Tonali beson deri në fund dhe gjen ndoshta golin më të rëndësishëm të karrierës pasi i jep Milanit një fitore të vuajtur, por të kërkuar me shpirt. Delir milanist në “Olimpico” me të besuarit e Piolit që ndiejnë titullin më afër se kurrë tri ditë më pas kur Interi shkërmoqet në Bolonjë.

VERONA-MILAN 1-3 – Më 8 maj kuqezinjtë e tregojnë veten në një nga transfertat më të vështira të Serisë A. Interisti Faraoni u jep shpresa zikaltërve që janë spektatorë të interesuar, por Tonali sistemon gjithçka me një dopietë, ndërkohë që firmën e qetësisë së rezultatit e vendos Florenci.

MILAN-ATALANTA 2-0 – Më 15 maj Atalanta në kërkim të Europës i kthen vizitën “Djallit”. Bluzinjtë janë mjeshtër transfertash, por nuk e vërtetojnë dot ndaj Leaos me shokë. Portugezi zhbllokon shifrat pas një asisti të Mesiasit, ndërkohë që Hernandez hipotekon suksesin me një galopim prej thuajse 100 metrash pas të cilit depoziton topin në rrjetë.

SASUOLO-MILAN 0-3 – E diel 22 maj 2022. Mbyllja e një rrugëtimi. Në takimin më të rëndësishëm, Milani prezantohet me kostumin më të mirë. Tre gola falë Kesit dhe dopietës së Zhirusë. Leao dhuron tri asiste, ndërkohë që “interisti” Doveri është spektator pa biletë i një ndeshjeje me sens unik. Milani është kampion i Italisë për herë të 19-të në histori duke barazuar Interin që një nga titujt e ka falë “Calciopolit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"