Marcelo Troisi: Flamurtari luan për fanellën, Superiorja të bëhet me 14 ekipe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 10:18

Marcelo Troisi: Flamurtari luan për fanellën, Superiorja të bëhet me 14 ekipe

Marcelo Troisi është i vetëdijshëm për vështirësitë e takimit të sotëm përballë Partizanit. Por, trajneri thotë se ka punuar me ekipin për të dhënë maksimumin edhe në këtë ndeshje. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Troisi shpreson te një rezultat pozitiv në përballjen me Partizanin, pavarësisht se e pranon edhe vetë që kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. “Unë e di që nesër (sot) kemi një ndeshje shumë të vështirë. Partizani ka një ekip shumë të mirë dhe kampioni në fuqi. Kështu që, një kundërshtar i tillë ta bën edhe më të vështirë ndeshjen.

troisi

Unë punoj çdo ditë me lojtarët për të bërë më të mirën dhe për të marrë prej tyre maksimumin. Nuk arritëm që të merrnim një rezultat të mirë dhe pozitiv në ndeshjen me Kukësin dhe për këtë më vjen shumë keq. Unë kam folur me lojtarët që nesër (sot) të zhvillojnë një ndeshje të mirë. Uroj dhe shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv në këtë takim, pavarësisht se përballë kemi një kundërshtar jo të lehtë si Partizani. Të gjithë lojtarët i kemi të gatshëm në këtë takim për të bërë maksimumin e tyre. Pra, do të kem një grup të plotë. Kjo është një gjë pozitive. Pastaj për të tjerat t’ia lëmë fushës së lojës”, tha fillimisht Troisi.

SITUATA – Flamurtari është i rënë tashmë nga Kategoria Superiore. Trajneri Troisi thotë se ekipi do të respektojë deri në fund kampionatin pasi fanella e kuqezinjve rëndon shumë. Braziliani thekson se nuk ka shumë lojtarë në dispozicion, por me grupin që ka, do të bëjë maksimumin. “Patjetër që Flamurtari është në një moment shumë të vështirë, por unë punoj shumë me ekipin për të bërë më të mirën në çdo takim, pasi Flamurtari ka një fanellë të rëndë dhe është një klub shumë i madh e me traditë.

Të gjithë duhet që të respektojnë fanellën në këtë ndeshje të radhës dhe në javët e mbetura deri në fund të kampionatit. Për mua, në lojë janë edhe shtatë ndeshje akoma. Çdo ditë punoj me ekipin dhe shikoj ecurinë e lojtarëve në çdo ndeshje. U flas për gabimet e bëra që të mos përsëriten më. Shikojmë pikat e forta dhe të dobëta, me qëllim që t’i rregullojmë gabimet në ndeshjen e radhës. Nuk kemi shumë lojtarë në dispozicion, por tani duhet të punojmë sa më mirë me këto mundësi që kemi. Luajmë për fanellën deri në fund”, shprehet braziliani.

troisi

STRUKTURA – Marcelo Troisi i rikthehet edhe një herë strukturës së kampionatit. Për trajnerin brazilian ka ardhur koha që Kategoria Superiore të ketë 14 ekipe, pasi i ka mundësitë dhe cilësitë. “Do të ishte mjaft mirë që Superiorja të kishte 14 ekipe. Shikoni kampionatin grek, italian, kampionatet në Europë. Do të jetë më mirë që futbolli i elitës të ketë sa më shumë ekipe. Kështu, ai bëhet më i bukur dhe rritet ndjeshëm konkurrenca. Shqipëria ka një futboll cilësor dhe duhet patjetër që të rrisë numrin e skuadrave që marrin pjesë në Kategorinë Superiore”, përfundon Troisi.

ANALIZA – Stafi teknik i Flamurtarit ka preferuar që analizën me lojtarët për Partizanin ta bëjë një ditë përpara ndeshjes. Së pari, është analizuar ndeshja me Kukësin, ku janë parë edhe gabimet e bëra, ndërsa trajneri Troisi ka shpjeguar gjithçka nëpërmjet pamjeve filmike. Të njëjtën gjë ka vepruar edhe me Partizanin. Troisi ka parë me ekipin ndeshjet e fundit që kanë luajtur të kuqtë për të pasur një ide më të qartë të lojës. Trajneri brazilian ka kërkuar nga ekipi që të jetë i qetë psikologjikisht dhe të kenë besim në vetvete.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"