Marrin “për dore” Elbasanin, dy sulmuesit: Golat? Meritë e trajnerëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 19:10

Marrin “për dore” Elbasanin, dy sulmuesit: Golat? Meritë e trajnerëve

Nëse Elbasani në ndeshjet e fundit duket i rilindur dhe nuk ka lidhje me atë të para disa muajve, kjo ndodh sepse sulmi dhe mbrojtja kanë ndryshuar. Më parë shënonte pak dhe pësonte shumë, ndërsa tani golat janë me bollëk dhe portieri nuk e nxjerr më topin shpesh nga rrjeta. Ai që të jep fitoren është goli dhe kjo është meritë e atyre që shënojnë. Javët e fundit kanë shpërthyer dy sulmuesit Klodian Nuri me 8 gola dhe Kejdi Balla me 7. Të dy bashkë kanë shënuar më shumë se gjysmën e golave të gjithë ekipit. Më parë këta lojtarë kanë luajtur disi të tërhequr, ndërsa tani në majë të sulmit po tregojnë potencialin e tyre të vërtetë.
NURI BALLA
Në prononcimet për “Panorama Sport”, Nuri dhe Balla pohojnë se nuk do të ndalen me kaq dhe se të gjithë bashkë do t’ia dalin të mbajnë Elbasanin në të Parën. Të dy altruistë, teksa shprehen se merita është e gjithë skuadrës dhe stafit.

NURI – “Është një tjetër skuadër Elbasani pas pandemisë, duket jo vetëm nga pikët, por edhe nga loja. Jam i lumtur që po shënoj, por edhe kur nuk ndodh, jam njësoj i lumtur për aq kohë sa skuadra po merr
pikët. Shpesh ne sulmuesit kritikohemi kur nuk shënojmë dhe na japin meritat kur nxjerrim skuadrën nga situata, por golat janë meritë absolute e gjithë skuadrës. I vetëm asnjë lojtar nuk mund të bëjë asgjë, si grup do t’ia dalim. Merita është edhe e trajnerëve tanë, (Lleshanaku dhe Cenaj), të cilët po marrin maksimumin nga lojtarët. Nëse vazhdojmë kështu, mbijetesa do arrihet me çdo kusht”, tha Nuri.

BALLA – “Në fazën më delikate të kampionatit skuadra po nxjerr në pah anën e saj më të mirë. Jo çdo klub mund ta bëjë këtë, duke parë se në çfarë situate ishim para ndalesës së kampionatit. Jo më kot quhemi Elbasani, që di të dalë nga situata atëherë kur shumë pak e presin. Më vjen mirë që kam shënuar gola të rëndësishëm dhe çdo gol i dedikohet ekipit, që punon që ne sulmuesit të shënojmë. Shpresoj vetëm të mos e ulim ritmin deri në fund. Duket se edhe trajnerët e kanë gjetur çelësin e suksesit, jo vetëm për të fituar, por edhe për të dominuar ndaj kundërshtarit, siç kemi bërë këto ndeshjet e fundit të kampionatit”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"