Marrin fund vuajtjet për kamerunasin Tadjong, gjen “strehë” te Tërbuni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2017 | 11:43

Marrin fund vuajtjet për kamerunasin Tadjong, gjen “strehë” te Tërbuni

Kamerunasi Janot Tadjong ka përfunduar te Tërbuni. Pas shumë peripecive të kaluara te Sopoti dhe provës te Domosdova, kamerunasi do të jetë pjesë e pukjanëve. Lojtari, që pas miqësores që zhvilloi me fanellën përrenjasake, udhëtoi drejt Tiranës për t’u provuar te Tërbuni. Ishin drejtuesit pukjanë ata që u bënë iniciatorët e kësaj lëvizje të kamerunasit, i cili ndihet më shumë se i lumtur që më në fund gjeti një skuadër ku do të vlerësohet dhe trajtohet siç duhet.

Janot tadjong

“Ndihem mjaft i lumtur që po stërvitem me ekipin e Tërbunit. Pas gjithë atyre që kalova, mendoj se kam gjetur një ‘strehë’ të ngrohtë këtu te Tërbuni. Dua t’i falënderoj të gjithë pa përjashtim që, kush më shumë e kush më pak, ndihmuan në situatën time. Gazetën tuaj, ekipin e Domosdovës që u mundua për mua dhe klubin e Tërbunit, i cili po ofron një vend në ekipin e tij. Gjithçka kalova te Sopoti dua ta harroj dhe do përkushtohem totalisht me skuadrën e re”, ka thënë kamerunasi, që ndihet mjaft i lumtur për aventurën e tij.

Çfarë tha

Në një rrëfim special pak ditë më parë në gazetën “Panorama Sport”, kamerunasi i Sopotit, Janot Tadjong, tregoi gjithçka ka përjetuar në Tiranë gjatë 4 muajve të fundit.

“Erdha nga larg për një ëndërr, por po i shtyj muajt nga halli, pasi gjendem në një situatë katastrofike financiare. Nuk jam paguar për asnjë muaj, edhe pse kam katër muaj te Sopoti që stërvitem e luaj. Këto dy muajt e fundit jam sajuar me çfarë të mundem. Shokët më kanë ndihmuar shumë.

Një njeri i veçantë për mua, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, më ka ftuar në shtëpinë e tij çdo darkë duke më siguruar vaktin. Dy javë para ndeshjes me Turbinën, që ishte e fundit për vitin e kaluar, kemi jetuar vetëm me sanduiçë. Ndërsa ditën e ndeshjes kemi shkuar pa ngrënë asgjë. Dhe, për çudi, fituam”, tha ndër të tjera Janot në rrëfimin e tij, që preku jo pak drejtues klubesh në vendin tonë.

LEDION QOSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"