“Marrim dy lojtarë, një nga Greqia”, Troisi flet për herë të parë: Flamurtari po bën merkato të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2020 | 11:47

“Marrim dy lojtarë, një nga Greqia”, Troisi flet për herë të parë: Flamurtari po bën merkato të mirë

Marcelo Troisi flet për herë të parë si trajneri i ri i Flamurtarit. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, braziliani nuk shfaqet i shqetësuar nga fundi i tabelës dhe aq më tepër për merkaton. 

Troisi Laci

Ai evidenton se veç emrit të madh që klubi ka, ka marrë garanci edhe prej presidentit. Tekniku thekson se po vijon puna për të përforcuar ekipin me lojtarë të rinj, ndonëse FIFA i ka bllokuar hyrje-daljet.

 E keni marrë Flamurtarin në fundin e tabelës, mendoni se do ta keni të vështirë? 

Flamurtari ka emër të madh. Mund të jetë në vend të fundit në klasifikim, por ka emër. Në fakt, është shumë e vështirë, por kemi bërë merkato të mirë. Unë shpresoj që të bëjmë më të mirën së bashku për këtë ekip, pavarësisht se gjendemi në vend të fundit dhe në një situatë jo të mirë, por kam besim shumë te skuadra dhe drejtuesit. Presidenti Idrizi po na mbështet shumë. Jam i bindur se do t’ia dalim mbanë.

Cilat janë të rejat e fundit nga merkatoja?

Ne jemi në merkato dhe nuk e kemi ndalur punën asnjë ditë.

Për çfarë keni nevojë më shumë? 

Do të kemi edhe dy lojtarë të tjerë që do të na afrohen. Njëri është nga Superliga greke, por kemi në plan edhe një tjetër. Po bëjmë një merkato të mirë.

 Në kaq ditë sa e keni stërvitur ekipin, çfarë vlerësimi mund të jepni? 

Është e vështirë që të dalësh në konkluzione për një javë. Por unë dua që të vlerësoj mjaft vullnetin e lojtarëve për të luajtur. Jam shumë i kënaqur me këtë gjë. Kemi edhe një javë tjetër për t’u përgatitur për rifillimin e kampionatit, kështu që do të bëjmë maksimumin.

Marcelotroisi

 I kënaqur me miqësoren përballë Orikumit?

Në ndeshjen e sotme (djeshme) me Orikumin, kishim 4-5 lojtarë që nuk luajtën, por që janë një pjesë e rëndësishme e formacionit. Pamë një reagim pozitiv të ekipit. Skuadra u përpoq shumë dhe luftoi deri në minutën e fundit.

Troisi do të debutojë në Shkodër përballë Vllaznisë, a i druheni kundërshtarit? 

Vllania ka ekip të mirë. Ne nuk jemi 100% gati, por them se mbi 80% do të jemi gati deri javën tjetër për këtë ndeshje. Jemi të fokusuar të gjithë te puna për të parë dhe për të dhënë më të mirën deri në ndeshjen e parë për 2020-ën. Kemi bërë përgatitje shumë të fortë me dy seanca në ditë.

Lojtarët kanë qenë të lodhur nga ana muskulore dhe kjo është e kuptueshëm, pasi kanë marrë ngarkesa të mëdha gjatë javës. Besoj se për 6-7 ditë, ekipi do të jetë gati. Do të bëjmë të gjithë maksimumin për Flamurtarin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"