Marrëveshja për stadiumin, Tirana dhe Partizani përplasen në 5 javë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 26, 2017 | 16:44

Marrëveshja për stadiumin, Tirana dhe Partizani përplasen në 5 javë

Pas marrëveshjes së djeshme mes dy presidentëve, atij të Tiranës dhe Partizanit, që të kuqtë t’i luajnë takimet e tyre në “Selman Stërmasi”, në pah ka dalë një problem i ri. Janë pesë javë në dy fazat e mbetura të sezonit, ku Tirana dhe Partizani luajnë në shtëpi ndeshjet respektive dhe, për këtë, duhet bërë një rregullim në kalendar. Për një gjë të tillë ka folur në deklaratën për mediat edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili konfirmoi se do të ketë rakordim edhe me FSHF-në që ky problem të zgjidhet.

Por, natyrisht, peshën më të madhe të zgjidhjes do ta kenë dy klubet që, pas bashkëpunimit të vendosur pasdreken e djeshme, duket se do të kenë edhe shumë të tjera për të saktësuar kalendarin, por pa harruar edhe dy ndeshjet derbi.

Perplasja Tirana - Partizani

Opsionet

Partizani do të ketë dy zgjidhje në tavolinë për të vendosur ditën kur do të luajë ndeshjet, duke qenë se Tirana do të ketë të drejtën të zgjedhë e para në lidhje me ditën kur do të luajë. E para është që një prej dy klubeve të luajë takimin e javës, ku ka përplasje ditën e premte dhe ndeshja tjetër të luhet të dielën, pra të mos zhvillohen dy takime brenda 24 orëve, në mënyrë që edhe terreni të jetë në gjendjen e tij optimale.

Por, në rast se kjo nuk funksionon dhe do të ketë përplasje, ose thjesht të kuqtë nuk do të duan të luajnë takimin e tyre në “Selman Stërmasi”, terreni i të cilit mund të jetë i rënduar, nuk përjashtohet mundësia që ata të udhëtojnë sërish në “Elbasan Arena” për të luajtur takimet e tyre ashtu siç kanë bërë në dy fazat e para të kampionatit.

Megjithatë, për momentin, është ende herët për të folur për zgjidhje të tilla, duke qenë se përplasja e parë që kampionati rezervon është ajo e datës 4 mars, në javën e 25-të, ku Tirana pret në shtëpi Skënderbeun, ndërsa Partizani Flamurtarin.

ARMAND HALILI






www.minuta90.com