Marrëveshja e Takut me Skënderbeun, klauzolë largimi drejt SHBA-ve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2017 | 10:54

Marrëveshja e Takut me Skënderbeun, klauzolë largimi drejt SHBA-ve

Afrim Taku ishte një tjetër goditje e bujshme e Skënderbeut në këtë merkato vere që përforcohet me një lojtar mjaft cilësor në mesfushë, por që në sezonin e shkuar ka arritur të shfaqet edhe si golashënues me skuadrën e Tiranës. Megjithatë, që të arrihej një akord i tillë, ka pasur një marrëveshje mes klubit korçar dhe futbollistit, që lidhet me një situatë specifike të tij.

Afrim Taku

27-vjeçari ka kërkuar një klauzolë në kontratën e tij, që në rast se do të ketë një ofertë për të luajtur në SHBA atëherë ai do të largohet. Afrim Taku pritet të bashkohet këto ditë me skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja dhe do të përfshihet në listën e federimeve për pjesëmarrjen në Europa Ligë.

Forma e mirë e dëshmuar në sezonin e fundit me bardheblutë dhe veçanërisht roli i ri në të cilin u aktivizua, si dhe shfaqja edhe si goleador, kanë bindur stafin teknik dhe drejtuesit e klubit korçar për t’i bërë një ofertë Takut dhe për të plotësuar skuadrën me një futbollist, që do të rrisë cilësinë dhe konkurrencën.

Nuk duhet të harrojmë se në garë për të marrë shërbimet e tij kanë qenë edhe disa skuadra të tjera të Superiores, një prej të cilave ishte edhe Partizani, por në fund futbollisti vendosi të mos ishte më pjesë e Tiranës, por të aktivizohej te Skënderbeu.

Afrimi i tij te skuadra korçare është deri diku edhe një lloj sigurie për trajnerin Daja, në rast të një largimi jashtë vendit të mesfushorit Liridon Latifi, në drejtim të të cilit ofertat nuk kanë munguar pas paraqitjeve të mira që ka bërë. Gjithsesi, largimi i tij do të sjellë edhe të ardhura për klubin korçar.

DEKLARATA

Ndërkohë, vetë lojtari, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, është shprehur: “Vazhdoj të jem në bisedime me klubin e Skënderbeut dhe në ditët në vijim do të ketë edhe diçka zyrtare”. Një pohim i tillë do të thotë se marrëveshja mes futbollistit dhe klubit korçar është fakt i kryer dhe mbetet vetëm firma mbi kontratë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"