Marku nuk merr atë që dëshiron, promotori “ngrin” shqiptarin: Dueli me Amir Khan s’është i mundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2022 | 15:01

Marku nuk merr atë që dëshiron, promotori “ngrin” shqiptarin: Dueli me Amir Khan s’është i mundur

Ndonëse asnjëherë në karrierë nuk i ka veshur dorezat në boksin olimpik, Florian Marku vazhdon të shkëlqejë në atë profesionist. 29-vjeçari të shtunën shënoi suksesin e tij të radhës, teksa triumfoi me “KO” në raundin e katërt kundër britanikut, Chris Jenkins.

FLORIAN MARKU 1

Suksesi i fundit bëri që Marku të ngjisë shumë shkallë në renditjen botërore, teksa tashmë pozicionohet në vend të 47-të për peshat “welter”, si dhe vazhdon të jetë i pamposhtur, përtej nivelit të kundërshtarëve që ka krijuar jo pak debate në komunitetin e boksit në vendin tonë.

Por boksieri kuqezi nuk kërkon të ndalet dhe menjëherë i ka lëshuar sfidën një emri të madh. “Më jepni Amir Khan, do ta mund”, tha Marku pas triumfit të fundit.

Por kush është Amir Khan? Aktualisht në moshën 35-vjeçare, ai ka qenë kampioni i botës në peshën e lehtë dhe e mbajti titullin WBA në 2009-2012 dhe IBF në vitin 2011.

Por nëse fillimisht promotori Ben Shalom dha lajme të mira për organizimin e duelit Marku-Khan në Tiranë, së fundmi ai ka lënë të kuptohet se për momentin kjo ndeshje është e vështirë për t’u realizuar.

“Për mua një ndeshje e tillë aktualisht nuk është e mundshme. Marku po ecën me ritme të mira, por duhet të përmirësohet akoma më shumë. Shanset për këtë duel për momentin janë të pakta. Madje, kam edhe kritika për Markun, pasi në raundin e tretë u vendos në shumë vështirësi nga Jenkins. Për një ndeshje me Khan duhet të piqen të gjitha kushtet. Gjithsesi, të shikojmë se çfarë do të na rezervojë e ardhmja. Aktualisht një përballje reale mund të them se është një duel i mundshëm kundër Chris Kongos”, deklaroi promotori Ben Shalom.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"