Marku dhe Pepa garantojnë: Kjo do të jetë ndeshja jonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 9:53

Marku dhe Pepa garantojnë: Kjo do të jetë ndeshja jonë

Lushnja është gati për Laçin. Ekipi ka përfunduar dje përgatitjet për ndeshjen që luhet sot në “Roza Haxhiu”. Skuadrës i rikthehet portieri Mikel Spaho këtë javë, ndërsa ka ezauruar skualifikimin. Ndërsa Branica dhe Xhafa janë në kushtet e infermierisë. Te verdhejeshilët ka shumë besim për fitoren e parë sezonale, por për të realizuar këtë mision, duhet të mposhtin kurbinasit.

Lushnja vs Lece

Këto skuadra janë ndeshur për herë të fundit në “Roza Haxhiu” më 26 korrik të këtij viti, ndërsa luanin miqësoren e parë të pragsezonit. Ai 90-minutësh testues u mbyll pa gola dhe u ka shërbyer verdhejeshilëve për të njohur kundërshtarin. Sulmuesi Brunild Pepa shprehet se kjo do të jetë ndeshja e Lushnjës, ndërsa për “Panorama Sport” tha:

“Kam besim se do të jetë ndeshja jonë. Do të japim maksimumin. Jemi të vetëdijshëm për forcën tonë dhe të kundërshtarit. Kemi faktorin fushë dhe me tifozët në krahë do jemi më të fortë se kurrë. Ndaj mendoj se kemi shanset tona dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona për ta fituar këtë takim”.

Nga lushnjarët nuk pritet vetëm goli i parë dhe fitorja e parë në shtëpi, por dhe një ndeshje e kujdesshme në mbrojtje për të mos pësuar. Dhe ai që jep zemër para kësaj sfide është qendërmbrojtësi Kristi Marku, i cili thekson se skuadra do të bëjë “bllokadë”. “Jemi përgatitur për të luajtur një ndeshje të kujdesshme dhe kemi besim se do të marrim fitoren. I kemi mundësitë ta thyejmë Laçin dhe shpresojmë që të ndodhë kështu”, tha shkurtimisht Marku.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"