Marko Materaci “thumbon” ashpër Zlatanin: Faleminderit Ibra, por sa ike ti, fituam… Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 10:00

Marko Materaci “thumbon” ashpër Zlatanin: Faleminderit Ibra, por sa ike ti, fituam… Champions-in

Nuk është asnjëherë diçka e bukur të dëgjosh, edhe pse pas shumë vitesh distancë, një faull të bërë me qëllim, aq më shumë kur ai që ta nënvizon është një ish-shok skuadre. 

ibrahimovic-materazzi-ospedale-600x360

Dhe pa dyshim që pas deklaratës së ashpër të Zlatan Ibrahimoviçit se ai kishte pritur 4 vite me radhë për t’i dhënë një goditje të ashpër Marko Materacit, në një derbi të Milanos, nuk kishte se si të mos merrte përgjigjen e menjëhershme nga i thirruri në apel. Ish-mbrojtësi italian i skuadrës zikaltër (në Milano luajti nga viti 2001 deri në 2010-ën), i cili ndau 3 sezone me ngjyrat zikaltër përkrah suedezit, konkretisht 2006-2007, 2007-2008 dhe 2008-2009, të cilat sollën edhe tre tituj kampion në Serinë A, zgjodhi adresën e tij në “Instagram” për të thumbuar ashpër Zlatanin.

Materaci

Madje, postimin e shoqëroi edhe me një foto nga triumfi i Ligës së Kampioneve në vitin 2010, pikërisht në atë sezon që Ibra vendosi të largohej nga Interi drejt Barcelonës. “Veni… Vidi… Viçi!!! (shprehja e famshme në latinisht: Erdha. Pashë. Fitova.). Gjithmonë dhe gjithsesi faleminderit Zlatan Ibrahimoviç! Pa ty nuk do ta kishim fituar kurrë”.

I përkthyer ndryshe, Marko Materaci ka dashur t’ia thotë me ironi se po të mos ishte larguar Zlatani nga Milanoja, Interi nuk do të kishte triumfuar, duke qenë se Champions-i është pikërisht “mallkimi” i vetëm i karrierës së Ibrës, i vetmi trofe që i mungon në palmares. Por, për ta bërë edhe më të ashpër thumbimin e tij, Marko Materaci i bëri “tag” postimit të tij edhe Samuel Etosë, pikërisht sulmuesit që në verën e sezonit 2009-2010 erdhi tek Interi në tratativën që dërgoi Zlatan Ibrahimoviçin te Barcelona, plus 75 milionë euro të tjera në favor të klubit italian. Një gjetje kjo nga ana e Materacit dhe ndoshta thumbimet mes tyre nuk do të mungojnë edhe në vazhdim.

Përgatiti: JETON STAMOLLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"