Markez triumfon në Spanjë, heroi Rosi del i pesti vetëm 24 ditë pasi theu këmbën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2017 | 10:01

Markez triumfon në Spanjë, heroi Rosi del i pesti vetëm 24 ditë pasi theu këmbën

Mark Markez fitoi “Grand Prix”-in e Aragonit dhe e çon në pesë numrin e tyre këtë sezon në kampionatin botëror të MotoGP-së. Piloti i Hondës triumfoi në shtëpi, duke e mbyllur përpara HRC-së tjetër të Dani Pedrozës dhe Dukatit të një Lorenco fantastik për një podium të gjithin spanjoll.

rosi

Vendi i pestë për heroin e kësaj fundjave Valentino Rosi, pas shokut të tij të skuadrës Vinjales. Garë për t’u harruar ka qenë kjo e Aragonit për Doviciozon, i cili e mbylli i shtati duke i dhënë njëherësh Markezit që të kryesojë i vetëm tashmë Botërorin me një avantazh prej 16 pikësh.

GARA

Kampioni i botës dërgon një mesazh tjetër të qartë dhe përsërit nën diellin spanjoll suksesin e arritur në pistën e përmbytur të Mizanos. Një përmbysje e pamëshirshme ajo e realizuar nga numri 93, i cili e nisi garën nga vendi i pestë. Rivali i tij direkt Doviciozo këtë fundjavë zgjodhi të bëjë më tepër një garë mbrojtëse, ashtu si në Sahsenring dhe Brno, ku edhe atje gjithçka foli në spanjisht.

Gjashtëmbëdhjetë pikë nga katër gara nga fundi nuk janë shumë, por nuk ka dilema që forma e treguar nga Markez duket me të vërtetë madhështore. Lorenco e mori që në start kryesimin e garës, me Rosin pas shpine që është fenomenal në mbajtjen e ritmit të tij. Ndërsa Doviciozo, Markez dhe Vinjales mbeten pak mbrapa pas sinjalizimit të semaforit jeshil.

Pas shumë xhirosh, Markez shfrytëzon në mënyrën më të mirë konsumin e pakët të gomave të forta për t’i bërë presion “Doktorit” e më pas vihet në ndjekje të bashkëkombësit të tij në timonin e Dukatit. Lorenco i reziston sa më gjatë që mundet, por Markez nuk ka ndër mend të heqë dorë. Dhe parakalimi nuk vonon (tetë xhiro nga fundi) për të administruar me maturi garën deri në valëvitjen finale të flamujve.

MARKEZ

“Ishte një garë e vështirë, mendoj edhe për shkak të temperaturave të larta. Në startin e garës nuk kisha atë ndjesi që pata më herët përgjatë ‘warm up’-it. Nuk e di, kam luftuar më tepër se në sezonet e mëparshme. Megjithatë, të arrish të fitosh papara këtyre tifozëve është diçka e jashtëzakonshme, ndaj edhe ‘muchas gracias’ për të gjithë. Ka qenë një e diel e bukur, për fitoren dhe diferencën e vogël në renditje. Megjithatë ka ende katër gara dhe gjithçka mund të ndodhë. Por më mirë 16 pikë sesa zero pikë”.

ROSI

“Jam i lumtur pasi vetëm një javë më parë mendoja se do ta ndiqja garën nga shtëpia. Për fat të mirë, ia dola ta shtyj motorin deri në fund. Në 2010-ën humba disa gara dhe e pata të vështirë për të rigjetur ritmin. Kësaj here do të jetë më e lehtë, pasi humba vetëm një garë. Dua që të shkoj në Motexhi nëse jo në 100-përqindëshin tim, por mjaftueshëm në formë”.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"