Mario Morina akord me Besën, ekipi “manita” ndaj Shkumbinit
Besa merr Mario Morinën. Ish-sulmuesi i Tiranës, Skënderbeut, Flamurtarit dhe Kamzës ka arritur akordin me presidentin Nexhat Bizhdili. Kërkesa e bërë prej trajnerit Poçi për një “bomber” është plotësuar me afrimin e 24-vjeçarit. MIQËSORJA – Besa “shpërthen” ndaj Shkumbinit.
Edhe pse përballë kishte një ekip jo në ditët e veta më të mira, miqësorja foli vetëm për kavajasit. Vendësit nuk e vunë në diskutim rezultatin, edhe pse munguan Mihani e Hoxha. Ndërkohë, dje u provuan si sulmuesi Hasanaj e mbrojtësi Dida. Miqtë befasuan që në të 3-ën minutë, me një gol të Dervishit.
Por avantazhi nuk zgjati më shumë se 1 minutë, pasi Emrush Kaloshi vuri në baraspeshë ndeshjen. Barazimi i shpejtë, por edhe dëshira e kavajasve bëri që loja të spostohej drejt portës peqinase.
Në të 18-ën, Dervishi, që vjet ishte pjesë e Tomorit, u dha avantazhin vendësve. Janë minuta kur miqtë nuk kanë qartësi në kombinacione e gabojnë shpesh, duke ua lehtësuar vendasve dominimin, që gjetën sërish rrjetën me anë të Edmond Hoxhës në të 25-ën. Në 45 minutat e dyta trajneri Poçi dhe Branica aktivizoi thuajse të gjithë stolin.
Në këtë pjesë vijnë edhe dy gola, fillimisht Dervishi që në të 66-ën realizon dopietë personale dhe në të 87-ën Çelhaka “vulosi” rezultatin.
Trajneri i Besës, Artion Poçi, u shfaq i kënaqur, ndërsa pas ndeshjes tha: “Më kënaqi loja, sidomos në pjesën e parë. Pragsezoni na gjen me optimizëm dhe Besa do të dijë ta shfaqë potencialin e saj ndaj Tiranës në Kupë”.
FERIZ FERIZAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"