Mario Gjata vjen i dëmtuar, trajneri Shkëmbi ka vetëm një dilemë ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 11:02

Mario Gjata vjen i dëmtuar, trajneri Shkëmbi ka vetëm një dilemë ndaj Kastriotit

Te Dinamo emocionet e fillimit të kampionatit janë më të mëdha se në asnjë skuadër tjetër. Blutë ritakohen me Superioren të dielën, kur do të luajnë me Kastriotin, ndërkohë që i mungojnë elitës që prej vitit 2012.

Shkembi Dinamo

Trajneri Bledi Shkëmbi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen hapëse dhe tashmë ka fiksuar edhe lojtarët që do të përbëjnë formacionin për këtë transfertë.

BALOTAZHI – Gjatë gjithë periudhës së fazës përgatitore trajneri korçar ka punuar me skemën 4-2-3-1, që është provuar edhe në të gjitha ndeshjet miqësore. Formacioni pak a shumë është përcaktuar, por gjatë ditëve të fundit ka pasur një balotazh për krahun e djathtë të sulmit mes Enis Gavazajt dhe Patrik Bardhit.

Ish-lojtari i Skënderbeut, Kukësit dhe Kombëtares është i favorizuar për ta nisur nga minuta e parë. Gazeta mëson se dyshimet kanë të bëjnë edhe me një shqetësim fizik të lojtarit kosovar, ndaj dhe Bardhi ka bërë “nxemjen”, por duket se Gavazaj ka kaluar gjithçka dhe pritet të veshë fanellën e titullarit të dielën ndaj Kastriotit.

MBROJTJA – Prapavija e bluve është në dorë të portierit Harizaj, ndërsa përpara tij do të vendosen Siljanovski në të djathtë, Sofranak dhe Imami në qendër dhe Isaevski në të majtë. Me përjashtim të futbollistit malazez, tre të tjerët e njohin Superioren dhe pritet të ofrojnë garanci për trajnerin Shkëmbi. Përpara mbrojtjes do të luajnë Sidibe në rolin e shkatërruesit dhe Demiri në rolin e ndërtuesit të aksioneve.

SULMI – Në majë të sulmit të Dinamos do të jetë Çinedu, afrikani i ardhur nga Kroacia gjatë merkatos së verës. Pas tij do të luajë kapiteni Agim Ibraimi, kurse në të majtë do të pozicionohet Redon Mihana, i ardhur nga Apolonia. Kompleton katërshen sulmuese Enis Gavazaj në krahun e djathtë. Alternativat në stol nuk mungojnë, sidomos për repartin e avancuar. Patrik Bardhi, Xhulio Skuka, Rimal Haxhiu dhe Mario Gjata janë futbollistë të rinj, të cilët pretendojnë të marrin sa më shumë minuta nga trajneri Shkëmbi.

GJATA – Gjatë kësaj jave grupi i futbollistëve në dispozicion të trajnerit Shkëmbi ka qenë i plotë. Me blutë është bashkuar edhe blerja e fundit, mbrojtësi i djathtë Edis Maliqi. I vetmi që pritet është sulmuesi fierak, Mario Gjata, i cili ka qenë i angazhuar me Kombëtaren U-21 për ndeshjen me Çekinë, ku e nisi titullar. Ish-lojtari i Apolonisë, i zyrtarizuar ditët e fundit të merkatos nuk ka kryer ende asnjë seancë stërvitore me skuadrën e re.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"